Presidenti sllovak: Ujqërit e Natës, rrezik për sigurinë

Presidenti i Sllovakisë, Andrej Kiska, tha se ngritja e një baze lokale për një grup të motoristëve rusë, të afërt me Krelminin, paraqet rrezik sigurie për këtë vend të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Anëtarët e grupit, të quajtur “Ujqërit e Natës”, u kanë ndihmuar trupave ruse të aneksojnë Gadishullin e Krimesë nga Ukraina në vitin 2014 dhe nuk janë thjesht “adhurues të padëmshëm të motorëve”, tha Kiska, duke i bërë thirrje Qeverisë sllovake të marrë masa për ta asgjësuar kompleksin e tyre në qytetin Dolna Krupa, rreth 60 kilometra në verilindje të Bratisllavës.

Ujqërit e Natës janë të njohur për promovimin e nacionalizmit rus dhe besnikërinë ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.

“Ujqërit e Natës janë mjet i një regjimi që mori pjesë në uzurpimin e një territori të një vendi fqinj [të Sllovakisë], në aneksimin e pjesëve të Ukrainës, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, tha Kiska.

Në reagim ndaj deklaratës së tij, zyra e shtypit e Qeverisë sllovake tha se asnjë veprim nuk do të ndërmerret pa një hetim nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe policia.

Policia ka thënë më herët se është duke monitoruar aktivitetet e grupit, porse deri më tani nuk ka parë asgjë të paligjshme. /evropaelire/

SHKARKO APP