Presidentin e vendosin shqiptarët
Mitingjet elektrorale të natës së kaluar i kanë lënë vendin heshtjes zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, disa orë përpara se të fillojë raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Stevo Pendarovski, i mbështetur nga koalicioni qeveritar i kryeministrit Zaev, dhe Gordana Silianovska, e përzgjedhura e partisë opozitare VMRO-DPMNE, kanë theksuar edhe njëherë rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në votim dhe nevojën e stabilitetit politik të vendit.
“Të shkoni të votoni masivisht të dielën më 5 maj. Siç e dini, ekipi politik që ju udhëhoqi dy vitet e fundit ka zgjidhur çështje të cilat askush nuk mundi t’i zgjidhte 30 vitet e fundit. E dini që ishin kompromise të vështira, por të domosdoshme, dhe e dini se para ndryshimit të emrit të vendit tonë bota dhe BE-ja nuk hapte dyert për ne”, tha Stevo Pendarovski, kandidat për president.
“Deri më tani, asnjë nga funksionet e presidentit nuk u përdor me të vërtetë për të zgjidhur çështjen e emrit. Ju referohem pushteteve të ndara që presidenti ka në marrëdhëniet e jashtme”, tha Gordana Silianovska, kandidate për presidente e VMRO-DPMNE-së. Kusht që Maqedonia e Veriut të zgjedhë të dielën presidentin e 6 të saj është që pjesëmarrja të jetë mbi 40%. Përndryshe, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, siç ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, me një presidencë disamujore të kryetarit aktual të Parlamentit, Talat Xhaferi.
Thirrje për pjesëmarrje masive kanë bërë edhe krerët e BDI-së, partisë më të madhe të shqiptarëve në vend, ndërkohë që udhëheqësit e dy partive shqiptare të opozitës, që mbështetën kandidatin e tyre Blerim Reka në raundin e parë, u janë drejtuar përkrahësve të tyre të votojnë sipas ndërgjegjes. Të gjithë tashmë e dinë se zgjedhja e presidentit apo dështimi i procesit është një prej kushteve kryesore që BE-ja kërkon nga Maqedonia e Veriut, për t’i dhënë datën e fillimit të negociatave për integrimin europian të vendit.
Top Channel