Prioriteti i presidencës rumune – Ballkani, do të marrë vëmendje maksimale. Samit rajonal në Tiranë
Ashtu si me Bullgarinë 1 vit më parë, por edhe me Slloveninë 6 muaj më parë, Ballkani Perëndimor do të jetë porioritet edhe i Rumanisë në presidencën e radhës së Bashkimit Europian.
Këtë gjë e deklaroi Presidenti rumun, Klaus Iohannis. Sipas tij, Ballkani Perëndimor do të jetë një ndër prioritetet e presidencës rumune, së bashku me Brexit dhe me çështjen e migrimit.
“Ne shprehëm mbështetjen tonë të përbashkët në zgjerimin sipas meritës së Bashkimit Europian drejt Ballkanit Perëndimor, sipas kapacitetit të secilit prej këtyre vendeve që të përmbushë kriteret e anëtarësimit”, deklaroi presidenti rumun në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij slloven.
Ky i fundit deklaroi se, Bashkimi Europian nuk mund t`i mohojë Ballkanit Perëndimor shpresën se një ditë do të mund t`i bashkohen unionit. Gjatë presidencës së Rumanisë do të zhvillohet pikërisht në këtë vend dhe samiti i shumëpritur i Sibiut, më 9 maj të këtij viti.
Ky samit do të jetë i pari pa Britaninë, si dhe do të diskutohet shumë për zgjerimin e unionit, por edhe për zgjidhjen e problemeve në rajon. Shumë vende ballkanike, përfshirë Shqipërinë, presin veprime konkrete në drejtim të anëtarësimit, dhe ky samit do ët tregojë sesi janë gjërat realisht.
Një tjetër samit me rëndësi do të jetë ai i iniciativës Brdo, që mbledh gjithashtu liderët e Ballkanit, së bashku me ata të Kroacisë dhe Sllovenisë, si iniciatorë të këtij samiti. Këtë vit, ky samit do të mbahet në Tiranë.