Projekt pilot për komunitetin shqiptar në Kroaci
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Etleva Kondi, zhvilloi një takim pune në Kroaci me përfaqësuesit e shtetit kroat për Diasporën. Në fokus të takimit ishte diskutimi për bashkëpunim institucional për çështjet e diasporës dhe mbështetjen e komunitetit shqiptar në Kroaci, në veçanti arbëreshëve të Zarës, të cilët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.
Gjatë bashkëbisedimit, Kondi i njohu homologët kroatë me politikat shtetërore të hartuara për Diasporën, misionin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, projektet e realizuar nga ky institucion dhe bashkëpunimi me komunitet shqiptare në Diasporë për ruajtjen e identitetit kombëtar.
Në kuadër të bashkëpunimit institucional do të përfshihet mësimi i gjuhës dhe kulturës shqipe dhe realizimi i një projekti pilot me mësues të gjuhës shqipe të cilët do të identifikojnë nevojat e duhura për t’u ardhur në ndihmë nxënësve të këtij komuniteti. Në bazë të marrëveshjes së Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Teatrit të Operas dhe Baletit do të përfshihet edhe organizimi i seminareve për mësimin e valleve dhe këngëve popullore shqiptare në Kroaci.