Projektit euro-atlantik po i vjen fundi në Ballkan
eksa Mbretëria e Bashkuar dhe Amerika tërhiqen nga rajoni, aftësia e Europës për “fuqi të butë” me qëllimin e nxitjes së Ballkanit drejt demokracisë liberale po shkon gjithnjë e më shumë drejt rënies, gjë që e bën destabilitetin më të mundshëm.
Nga Jasmin Mujanovic*
Pavarësisht diplomacisë europiane, marrëveshja post-Jugosllave në Ballkanin Perëndimor ka qenë kryesisht rezultat i garancive të sigurisë të dhëna në rajon nga tre shtete: SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania. Më 20 janar 2017, dy nga këta tre garantues do të zhduken një herë e mirë nga skena e politikës rajonale në çdo kuptim të fjalës.
Një Mbretëri e Bashkuar post-Brexit dhe një SHBA e drejtuar nga Donald Trump nuk do të jenë më faktorë në politikën e Ballkanit Perëndimor. Nuk do të ketë asnjë lajmërim zyrtar për këtë dhe ndihma amerikane dhe britanike e llojeve të ndryshme do të vazhdojë të rrjedhë.
Por do të jetë më pak e rëndësishme dhe do të marrë formën e masave të përkohshme dhe sa për foto. Nuk do të lidhet me adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve strukturore në politikën rajonale.
Largimi britanik dhe amerikan nga Ballkani do ta lërë Gjermaninë në një pozicion delikat. Berlini është tashmë në presion të madh si i vetmi vend liberal-demokratik i fuqishëm në një det të populistëve reaksionarë. Vizualisht vetëm, Gjermania mban bashkë projektin europian përballë paqëndrueshmërisë financiare që zien në Greqi, Itali, Spanjë dhe Portugali dhe përkundrejt pushtetit rus që po rigjallërohet.
Kancelarja Gjermane Angela Merkel prej kohësh i ka kërkuar britanikëve dhe amerikanëve të luajnë një rol më konstruktiv në Europë dhe të ndajnë barrën. Për tetë vitet e fundit, përgjigjja e tyre ka qenë shpesh e heshtur, por jo më pak e pranishme, siç ka provuar e ashtuquajtura Iniciativa Britaniko-Gjermane që shpëtoi së fundmi perspektivën europiane të Bosnje-Hercegovinës.
Përgjigjja tani, megjithatë, nuk do të jetë heshtja. Në vend të kësaj, do të jetë britma kaotike dhe alarmante e krizave kushtetuese që mundojnë Shtëpinë e Bardhë dhe Rrugën Douning që tani.
Liderët ballkanas nuk janë të painformuar për këto zhvillime dhe tashmë po kërkojnë për mirëbërës të rinj. Nikola Gruevski i Maqedonisë, Aleksandër Vuçiç i Serbisë dhe Milorad Dodik i Bosnjës po shohin gjithnjë e më shumë nga Moska për urdhra marshimi, ndihmë financiare dhe justifikim ideologjik për transformimet e tyre autoritare.
Të tjerë, si lideri boshnjak në Bosnje, Bakir Izetbegoviç shohin nga Ankaraja dhe shtetet e Gjirit, por kryesisht për të njëjtat arsye.
Dhe në tërësi, establishmenti politik në Ballkan joshet shumë nga penetrimi gjithnjë e më i madh kinez. Elitat në ish-Jugosllavi janë të dëshpëruara për para të reja për të mbajtur regjimet e tyre të falimentuara ekonomikisht dhe politikisht ende në këmbë. Iniciativa kineze “16+1” është një litar shpëtimi për to dhe është veçanërisht rastësi që paratë kineze dhe infrastruktura të vijnë pa kushte.
Thuajse e njëjta gjë mund të thuhet për ofertat ruse dhe turke; pa nevojë për “kushte”, reformë apo demokraci.
Mes këtij rikonstruksioni, Brukseli është një jo-entitet. Nuk është thjesht sepse BE-ja rrallë flet me një zë të vetëm. Në vend të kësaj, humbja e rëndësisë së BE-së në Ballkanin Perëndimor është kryesisht rezultat i shpërfilljes së saj me dashje.
Të marrim “Progres Raportet” e fundit ku Brukseli vlerëson përparimet e bëra drejt kritereve kyçe të integrimit mes shteteve në rajon që kërkojnë të anëtarësohen. Në një vit që pa sulmin më të dukshëm të rendit kushtetues të Dejtonit në Bosnje që kur marrëveshja e paqes hyri në fuqi në 1996, Progres Raporti e përmend referendumin në entitetin serb, Republika Srpska vetëm në një fjali.
Kjo nuk është thjesht një shpërfillje, por një tregues se përparësitë e BE-së në Ballkan nuk janë më demokratizimi, reformat socio-ekonomike apo politike. Brukseli është i shqetësuar vetëm për pamjen e jashtme dhe dukjen banale të stabilitetit. Përfaqësuesit e BE-së në Sarajevë, Shkup dhe Beograd flasin në terma të asaj që duhet të jetë, por shpërfillin çfarë po ndodh në terren dhe se si situata politike në rajon tashmë ka ndryshuar.
Autoritarizmi i regjimit të Gruevskit në Maqedoni nuk u shfaq brenda natës dhe po kështu as obstruksionizmi i rrezikshëm i Dodik në Republikën Srpska. Këto janë fuqizuar nga shpërfillja diplomatike, në mos paaftësia dhe nga kreditë financiare në dukje më pak të kushtëzuara.
Tani që BE-ja gjendet edhe vetë përballë shtimit kancerogjen të populizmit të ekstremit të djathtë, liderët europianë si Sebastian Kurz i Austrisë udhëtojnë në rajon jo për të ngritur lart pishtarin e liberalizmit, por për të kërkuar solidaritet me despotët provincialë që janë aty për të mbajtur masat e dëshpëruara të refugjatëve në breg.
Nëse ideja e demokracisë është të kemi një të ardhme në Ballkan, kjo do të varet nga aftësia e qytetarëve të thjeshtë, si ata që dalin rregullisht rrugëve të Shkupit për t’u përballur dhe kur është e nevojshme për të hequr liderët që nuk japin llogari. Për mirë ose keq, askush tjetër nuk do ta bëjë, kjo është e qartë.
Nëse qeveria për njerëzit dhe nga njerëzit do të kenë sukses në Ballkanin Perëndimor, në fjalë të tjera, kjo do të varet vetëm nga shoqëria civile për t’u bërë realitet.
Por një paralajmërim përfundimtar, veçanërisht për ata në Uashington dhe Bruksel që besojnë se “edhe kjo duhet kaluar”. Të gjitha mundësitë janë kthyer tashmë në tryezë për sa i takon elitave politike. Infrastruktura për luftën, në kuptimin e gjerë dhe formal të fjalës, mund të mos ekzistojë, por destabilitet i madh në katër vitet e ardhshme është thuajse i sigurt.
Qeveria e Dodik ka lajmëruar tashmë një referendum për ndarje në 2018. Administrata e tij ka marrë guxim nga përgjigjja e paaftë e komunitetit ndërkombëtar për referendumin e tij të fundit, ndaj ekziston çdo arsye për të besuar se ajo që do të vijë është një kërcënim i mundshëm. Asnjë nuk duhet të besojë se Bosnje-Hercegovina duhet të shpërbëhet paqësisht. Dhe, e njëjta gjë vlen për Ballkanin.
Strukturalisht megjithatë, fundi potencial i supremacisë Euro-Atlantike në rajon nënkupton që Ballkani do të rindërtohet sipas lidhjeve autoritare në konkurrencë. Siç e dëshmon edhe grindja e vazhdueshme diplomatike mes Kroacisë dhe Serbisë, një zhvillim i tillë nuk do të garantojë asnjë stabilitet, por përkundrazi të bën të mendosh për një konflikt të çfarëdo lloji, herët ose vonë.
*Dr. Jasmin Mujanovic është një studiues politik i specializuar në politikën e Europës juglindore dhe në politikën e demokratizimit post-autoritar dhe post-konflikt më gjerësisht. Libri i tij i parë, “Uri dhe Zemërim: Kriza e Demokracisë në Ballkan” do të publikohet në vitin 2017.
BIRN