Prokuroria e Kosovës: Të arrestuarit në Banjskë janë shtetas të Serbisë
Të arrestuarit në Banjskë të Zveçanit, që dyshohet se ishin në kontakt me sulmuesit e Policisë së Kosovës, kanë shtetësi të Serbisë, konfirmon prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Naim Abazi. “Shtetas të tjerë nuk kemi”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se disa nga të arrestuarit, përveç nënshtetësisë serbe, kanë edhe dokumente të Kosovës, por nuk specifikon se sa prej tyre kanë të tilla. Sipas tij, të gjithë ata janë ende në proces të intervistimit. Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 syresh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë katër sulmues dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, konfirmuan autoritetet. Ato nuk thanë nëse personat tjerë të armatosur, u larguan.
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se të arrestuarve u është caktuar tashmë masa e ndalimit prej 48 orësh dhe se ata dyshohen për një sërë veprash, përfshirë “sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “përgatitje të veprave terroriste” dhe “armëmbajtje pa leje”. Duke folur në një konferencë për gazetarë të hënën, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se hetimet për të arrestuarit janë duke vazhduar.