Propozohet ulja e tarifave roaming në Ballkan
Këshilli Bashkëpunimit Rajonal do të propozojë uljen e tarifave të roamingut për të lehtësuar komunikimin në Ballkan. Gjithashtu, janë duke u zhvilluar plane për promovimin e përbashkët të potencialeve investuese të rajonit për investitorët e huaj, si dhe agjendën e reformave për harmonizimin dhe përmirësimin e politikave të investimeve.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (KBR) Goran Svilanoviç moderoi një panel të titulluar “Ballkani Perëndimor – sfidat: Zona ekonomike rajonale” brenda edicionit të 25-të të Forumit të Biznesit Kopanoni.
Svilanoviç nënvizoi se bashkëpunimi rajonal i Ballkanit Perëndimor ka marrë një shtysë të re nëpërmjet procesit të Berlinit për të hartuar një qasje të përbashkët për të adresuar sfidat kryesore ekonomike dhe për t’iu përgjigjur së bashku kërkesave të tregjeve evropiane dhe globale.
“Plani shumëvjeçar i veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale, i hartuar nga KBR me kërkesë të Kryeministrave të rajonit, të miratuar prej tyre në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Trieste verën e kaluar, synon të adresojë në mënyrë adekuate shumë nga sfidat me të cilat përballet rajoni. Implementimi i tij ka filluar tashmë në fushat e investimeve, agjendën dixhitale, lëvizshmërinë e punës së kualifikuar, ndërsa segmenti tregtar imbulohet nga partnerët tanë nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) “, tha Svilanoviç duke shtuar se Samiti i ardhshëm i Ballkanit Perëndimor në Londër, në korrik, planifikon të paraqesë projekt-marrëveshjen për njohjen automatike të profesionistëve në sektorin e ndërtimit dhe shëndetësisë duke hapur kështu dyert për punën e papenguar të këtyre profesionistëve në të gjithë rajonin.
Forumi i Biznesit Kopaonik, organizuar nga Shoqata e Ekonomistëve Serbë dhe Shoqata Serbe e Drejtorëve të Korporatave, zhvillohet në javën e parë të marsit në Qendrën e Konventës së Kopaonikut. Forumi mbledh mbi 1,200 pjesëmarrës, duke përfshirë profesorë të shquar, zyrtarë qeveritarë, anëtarë të trupit diplomatik, biznesmenë, investitorë vendas dhe të huaj dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare financiare.