Protestat në Serbi, Aleksandër Vuçiç akuzon rëndë ndërkombëtaret
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç akuzoi vendet perëndimore dhe ambasadorët e tyre, ndërsa shtoi se ata po veprojnë me standarde të dyfishta. Ai e krahasoi hyrjen e dhunshme të protestuesve brenda Televizionit Shtetëror të Serbisë me veprimet e dhunshme të 27 prillit në Maqedoninë e Veriut, ku situata precipitoi me dhunë e gjakosje të disa deputetëve dhe kryeministrit, Zoran Zaev.
“Si është e mundur që ambasadorët e vendeve perëndimore nuk e dënuan këtë, ndërsa në sekondën e njëjtë e dënuan atë që nuk u pëlqeu, hyrjen e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë. Miku i madh i Jeremiçit dhe Gjillasit, Zoran Zaev, u lëvdua se si u dënua ministri i punëve të brendshme, Çavkov, me 18 vjet burg, për shkak se nuk ka ndaluar qytetarët që të hyjnë në Parlament.
Në bazë të këtij parimi, ndoshta edhe ne mundemi të mendojmë për përgjegjësinë e Nebojsha Stefanoviçit për shkak se e ka lejuar fashistin Obradoviç dhe Gjillasin të hyjnë brenda. Por, vlerësoj se Nebojsha ka menduar se ka punë me persona përgjegjës dhe se një gjë e tillë nuk do u bie në mend”, tha ai.
Në seancën e mbrëmshme të jashtëzakonshme, ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviç, deklaroi se protestuesit në Beograd i mahniten “skenarit të Maqedonisë” dhe se po mundohen që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe në Serbi.