Pse shkoi Engel dhe çfarë mesazhe çoi në Beograd
Mediat serbe kanë analizuar arsyet e vizitës së Kongresmenit amerikan, Eliot Engel në Beograd dhe temat e diskutuara me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Kongresmeni amerikan, Eliot Engel me deklaratat e tij gjatë vizitës në Beograd dhe në Kosovë ka mbrojtur shqiptarët në Kosovë për goditje të reja ndaj serbëve, shkruan e përditshmja serbe “Politika”.
Vetëm disa javë më herët, zyrtari tjetër i lartë amerikan, Mathew Palmer i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës të kthehen në tavolinën e bisedimeve, por me një pozicion krejt tjetër.
Brukseli tashmë një kohë të gjatë pa sukses i dërgon mesazhe Kosovës për heqjen e taksës për dallim nga Engel i cili me deklaratat e tij vetëm ka mbështetur shqiptarët që të vazhdojnë me masa edhe më të forta ndaj serbëve, shkruan “Politika”.
Kjo e përditshme serbe shton se Engel gjatë intervistës së tij për “Radio Evropa e Lirë” u bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojnë dialogun por duke shtuar se: “Është e rëndësishme që Qeveria e Serbisë të kuptojë dhe ta pranojë se ekziston shteti i pavarur Kosovë dhe se ajo do të mbetet shtet i pavarur”.
Nga ana tjetër, e përditshmja tjetër serbe “Blic”, shkruan se Engel gjatë takimit në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës për taksën ndaj mallrave serbe.
“Blic”shton se nuk janë të vërteta spekulimet se gjatë bisedës së tyre rreth taksës “ka qenë në krah të Prishtinës dhe se nuk kishte shumë njohuri për qëndrimet dhe argumentet e Serbisë” por se “saktë kërkonte marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës rreth kësaj teme”, transmeton lajmi.net.
Burime të “Blic” sugjerojnë se edhe pse pritej, Engel nuk ka dhënë asnjë propozim për zgjidhjen e këtij problemi si dhe vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.