Qeveria greke i mbijeton mocionit të votëbesimit

Qeveria greke e Alexis Tsipras u votëbesua të premten për herë të pestë që prej ardhjes në pushtet.

153 deputetë të partisë SYRIZA dhe të pavarur u grupuan për t’i rezistuar mocionit të mosbesimit të kërkuar fillimisht nga opozita dhe më pas nga vetë kreu i kabinetit.

Sikurse në dy ditët e mëparshme, debatet gjatë seancës plenare ishin të ashpra.

Ato u fokusuan kryesisht te paketa financiare dhe përfitimet sociale që kryeministri Tsipras bëri të njohura në fillim të javës për pensionstët dhe shtresat më të varfra të shoqërisë.

“Masat sociale që prezantuam për vitet 2019-2021 do të jenë të përhershme. Ato shënojnë një agim të ri për vendin tonë, dhe vënë në vend drejtësinë e shpërblejnë sakrificat e shumë qytetarëve në këto vite të gjata krize,”-tha Tsipras.

Votimi erdhi rreth dy javë përpara se vendi të përgatitë dy procese paralele zgjedhore, që janë vendoret dhe europianet e 26 majit.

Sondazhet e nxjerrin partinë qeverisëse disa pak pas partisë kryesore opozitare, “Demokracia e Re”.

Lideri i pakicës, Kirjakos Micotakis, i kërkoi kryeministrit Tsipras që nëse në zgjedhjet europiane partia e tij fiton më shumë mandate, qeveria duhet të bëhet gati për zgjedhje të parakohshme.

SHKARKO APP