Qeveria serbe akuzohet se po fsheh CV-të e zyrtarëve
Qeveria serbe nuk ka arsye ligjore për të mbajtur konfidenciale CV-të e zyrtarëve shtetërorë – një lëvizje që bie në kundërshtim direkt me një vendim të gjykatës, pretendojnë monitoruesit e transparencës.
Nga Sasa Dragojlo, BIRN
Rodoljub Sabiç, Komisioneri serb për Rëndësinë e Informacionit Publik i tha BIRN se qeveria nuk ka arsye ligjore për të mbajtur konfidenciale CV-të e zyrtarëve publik sepse njerëzit kanë të drejtën të njohin kualifikimet e tyre profesionale.
“Ky lloj informacioni duhet të jetë i hapur për publikun pasi shtetasit kanë të drejtën të njohin nëse këta njerëz janë apo jo të kualifikuar për pozicionet e tyre,” tha Sabiç.
Ai shtoi se bërja publike CV-ve nuk do të shkelte të drejtat e zyrtarëve për privatësi, pasi vetëm të dhënat profesionale do të zbulohen.
Që kur erdhi në pushtet në vitin 2014, qeveria serbe ka mbërë konfidenciale 160 CV të zyrtarëve publikë, duke cituar Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale si bazë ligjore.
Gjykata Administrative në vend më 26 janar anuloi vendimin e qeverisë për të mbajtur sekret CV e Nikola Petroviç, drejtor i kompanisë shtetërore Elektromreze Srbije, pas akuzave nga lëvizja politike “Mjaft më – Sasa Raduloviç”.
“Mjaft më” pretendon se ka dyshime se Petroviç, që është kumbar i kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç, nuk ka kualifikimin e duhur arsimor për pozicionin.
Kjo ishte çështja e shtatë në të cilën Gjykata Administrative vendosi se qeveria duhet të zbulojë biografitë e zyrtarëve.
Qeveria deri më tani nuk ka zbatuar asnjë nga vendimet e gjykatës.
Bojana Medenica nga organizata mbikëqyrëse Transparency Serbia i tha BIRN se vendimet e gjykatës janë të detyrueshme.
“Ky lloj informacioni është i nevojshëm për publikun. Kjo është qartazi arbitrarizëm nga ana e qeverisë,” tha Medenica.
Drejtori i Elektromreze Srbije, Petroviç u përmend në një letër të shkruar nga pesë kongresmenë amerikanë në gusht 2015, në të cilën ai akuzohej si pjesë e një “grupi të vogël njerëzish që kishin konsoliduar ndikimin e tyre dhe interesin në energji, telekomunikacion, infrastrukturë dhe të gjitha bizneset e mëdha në Serbi”.
Në një zhvillim tjetër, Avokati i Popullit Sasa Jankoviç gjithashtu kritikoi qeverinë të dielën sepse nuk ka zbuluar të gjitha detajet e kontratave të privatizimit për Smederevo Steelëorks dhe Air Serbia.
Sipas indeksit “perceptimi i korrupsionit” nga Transparency International 2015, Serbia ishte në pozicionin e 71 nga 168 vende në botë. Në vitin 2014, ishte në vendin e 78 nga 175 vende.