Qytetarët protestojnë kundër ndotjes së ajrit

”Duam ajër të pastër”, ”E ardhmja nuk shihet nga smogu”, ”Ajri ynë është helm, Qeveria jonë është e shurdhër”,- këto ishin disa nga mbishkrimet në pankartat e mbajtura nga banorët e Shkupit, që të shtunën, për herë të dytë brenda këtij muaji, dolën në marsh protestues kundër ndotjes së ajrit. Si herën e kaluar, edhe tani, protestuesit nisën marshimin nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, vazhduan drejt Kuvendit dhe e përfunduan para ndërtesave të Qytetit të Shkupit.

Dy javë kanë kaluar që kur kërkesat e para janë dorëzuar pas protestës së parë, por deri tani, nuk ka pasur asnjë përgjigje nga institucionet, theksuan udhëheqësit e protestës. Organizatorët, iniciativa ‘Qyteti i Gjelbër Human’, së bashku me qytetarët protestues, paraqitën katër kërkesa për luftimin e ndotjes së ajrit në Shkup, përfshirë monitorimin e vazhdueshëm publik të objekteve industriale, për të siguruar transparencë mbi ata që ndotin ajrin.

“Kërkesa e dytë ka të bëjë me ngrohjen ekologjike të objekteve, si Klinika e Fëmijëve ‘Kozle’, e cila ende ngrohet me naftë. Kërkesa e tretë është që të zgjidhet autocentrizmi në qytet, me prioritet transportin publik dhe biçikletat para veturave, dhe kërkesa e katërt është menaxhimi më i mirë i mbeturinave”, tha Borjan Jovanovski nga iniciativa qytetare “Qyteti i Gjelbër Human”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Protestuesit, herën e kaluar, më 10 dhjetor, theksuan se shkak për protestën janë rastet e shumta të vdekjeve të lidhura me ndotjen e ajrit, të cilat, sipas tyre, përbëjnë 17.7% të vdekshmërisë së përgjithshme në vend.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Çdo i nënti rast vdekjeje te foshnjat në Maqedoninë e Veriut lidhet me ajrin e ndotur”, njoftoi agjencia e Kombeve të Bashkuara në shtator të këtij viti. Shkupi ka qenë vazhdimisht ndër qytetet më të ndotura në botë muajt e fundit, sipas kompanisë botërore IQAir, e cila mat cilësinë e ajrit. Ndërkohë, masa e vetme që zbatohet gjatë periudhës me ndotjen më të lartë të ajrit, është transporti publik falas.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?