Reeker: Taksa e Kosovës për Serbinë, rrezik për raportet me SHBA

Diplomacia amerikane vijon përmes zyrtarëve të ndryshëm që të ushtrojë presion mbi Prishtinën për vijimin e negociatave dypalëshe me Beogradin. Këtë mesazh e përsëriti të hënën edhe Filip Riker, ndihmëssekretari i ardhshëm i Shtetit për Europën dhe Eurazinë, që e cilëson taksën 100 për qind ndaj Serbisë, një pengesë serioze për dialogun.

Shtetet e Bashkuara përsëritën të hënën se normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi mbetet një prioritet i qeverisë amerikane.

Por ndihmëssekretari i ardhshëm amerikan për Evropën dhe Eurazinë, Filip Riker, thotë se dialogu mes palëve është dëmtuar rëndë nga tarifa doganore 100 për qind ndaj produkteve me origjinë serbe dhe boshnjake që Kosova ka miratuar nëntorin e kaluar.

Sipas ish-ambasadorit amerikan në Maqedoni, kjo masë e palës kosovare po rrezikon gjithçka, madje edhe marrëdhëniet bilaterale me SHBA-të.

Reeker: Nëse Prishtina zyrtare nuk kthehet në negociata pa kushte, atëherë do të rrezikojë të ardhmen e saj europiane dhe jo vetëm. Kosovës nuk po i kërkojmë të japë Hënën, por të heqë dorë nga taksa për një kohë të caktuar për interesat vetjakë, të SHBA-ve dhe të gjithë rajonit. Është fatkeqësi dhe e habitshme që akoma kemi mosmarrëveshje serioze me Qeverinë e Kosovës për këtë çështje. Kosova nuk do të humbasë asgjë nga negociatat, por i rrezikon të gjitha nëse nuk ulet në tryezën e dialogut, përfshirë raportet me SHBA-të, që kanë investuar shumë në suksesin e saj si shtet i pavarur, multietnik dhe sovran.

Këto komente diplomati i karrierës, Riker, i bëri përkrah zëvendëskryeministrit maqedonas Bujar Osmani gjatë një seminari dyditor në Shkup.

Në këtë kontekst, ai përmendi marrëveshjen e Prespës mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke thënë se liderët e rajonit duhet ta marrin si shembull për arritjen e kompromiseve historike.

Duke u fokusuar më gjerësisht te rajoni i Ballkanit, Riker tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat evropiane të të gjitha vendeve të gadishullit jo prej zemërmirësisë, por sepse është e vetmja mënyrë për të pasur paqe dhe stabilitet në mbarë Evropën.

SHKARKO APP