Refugjatët, Maqedonia: Lejojmë të kalojnë vetëm 300 në ditë
Numri i refugjatëve të bllokuar në fshatin grek Idomeni, pranë kufirit me Maqedoninë, ka shkuar në rreth 10 mijë, ndërsa autoritetet maqedonase lejojnë që kufirin ta kalojnë vetëm 300 refugjatë në ditë.
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski ka thënë se, në Maqedoni mund të hyjnë aq refugjatë sa ç’mund të pranojnë vendet e Europës Perëndimore.
“Për Maqedoninë është shumë e rëndësishme, që vendet e BE-së të bëjnë të ditur numrin e saktë të refugjatëve, që mund të pranojnë brenda një dite. Në këtë mënyrë, ne do të ballafaqohemi më lehtë me presionin e refugjatëve në kufirin me Greqinë. Për ne është e rëndësishme, që të garantojmë trajtim human për refugjatët, por me rëndësi është gjithashtu edhe siguria e policëve dhe qytetarëve tanë”, tha Oliver Spasovski.
Lidhur me incidentin e ditës së hënë, Spasovski tha se, shkak për tensionimin e situatës ishte bërë keqinformimi i refugjatëve për regjimin e lëvizjes në kufi. Ministri i Brendshëm maqedonas vizitoi të mërkurën qendrën tranzitore për emigrantë në kufirin jugor me Greqinë, bashkë me kolegun e tij nga Sllovakia, Robert Kalinjak, si dhe kryeministrin e këtij vendi, Robert Fico. Ky i fundit tha se, për krizën e refugjatëve, vendet e BE-së duhet të gjejnë zgjidhje në samitin e 7 marsit.
“Të hënën e ardhshme është samiti i Bashkimit Europian dhe ka një nervozizëm mbi krizën e refugjatëve. Të gjithë besojmë se duhet të miratojmë zgjidhje europiane, por ndonjëherë na duket që zgjidhjet europiane nuk zbatohen. Kështu që, ndoshta bashkëpunimi dypalësh me vende, siç është Maqedonia, do të ishte tejet i rëndësishëm”, tha Robert Fico, kryeministër i Sllovakisë.
Ndërkohë, të mërkurën, në kufirin me Greqinë kanë arritur edhe 20 policë nga Sllovakia, për të ndihmuar forcat maqedonase në ballafaqimin me fluksin e refugjatëve.