Rezoluta e PE-së për Serbinë: “Shtetet etnikisht të pastra nuk duhet të jenë qëllim në rajon”

Parlamenti Evropian miratoi të enjten Rezolutën për Serbinë, në të cilën theksohet se janë bërë përparime në reformat ekonomike, por se është më rëndësi thelbësore, të arrihen rezultate të prekshme në reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e mediave.

Rezoluta mirëpret “angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Gjithashtu eurodeputetët përshëndesin përpjekjet që janë bërë për të normalizuar marrëdhëniet me Prishtinën.

“Çdo marrëveshje mbi normalizimin e raporteve do të jetë e pranueshme vetëm nëse pajtohen të dyja palët dhe nëse ajo ruan stabilitetin në rajon dhe të drejtën ndërkombëtare” thuhet në rezolutë.

Eurodeputetët “tërheqin vërejtjen për diskutimet aktuale dhe deklaratat rreth mundësisë së korrigjimit të kufijve midis Kosovës e Serbisë, përfshirë edhe shkëmbimin e territoreve” dhe “theksojnë strukturën shumetnike në Kosovë e Serbi” dhe shtojnë se “shtetet etnikisht të pastra nuk duhet të jenë qëllim në rajon”

Dokumenti i jep rëndësi themelimit të Asosacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe zbatimit të gjitha marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve përfshirë edhe atë për energjinë.

SHKARKO APP