Rritet numri i viktimave nga përmbytjet në Greqi, Tsipras shpall zi kombëtare për të gjithë vendin

Vetëm në komunën e Mandrës, në perëndim të prefekturës së Athinës, kanë humbur jetën të paktën 15 persona, 5 gra dhe 10 burra, kur ujërat e rrëmbyer, brenda një ore kanë përmbytur dhjetëra shtëpi. Tre persona janë shpallur të humbur, 17 vetë janë plagosur dhe janë çuar në spital, prej të cilëve një në gjendje të rëndë. Për shkak të vërshimeve, janë mbyllur edhe shumë shkolla.

Situatën vazhdimisht e ndjek edhe kryeministri Aleksis Cipras, i cili në Tuiter shprehu ngushëllime për viktimat dhe autoriteteve përgjegjëse iu urdhëroi të ndërmarrin aksion të shpejtë për lehtësimin e pasojave nga dëmi i shkaktuar nga kjo katastrofë.

Rrugët në Nea Peramos, i cili gjendet në 27 kilometra në perëndim të Athinës, janë shndërruar në lumenj prej balte dhe në të njëjtën kohë prefekti Grigoris Stamulis për televizionin “Antena” deklaroi se “praktikisht i gjithë qyteti është vërshuar”.

Ai shtoi se në vijim janë operacionet e shpëtimit për nxjerrjen njerëzve të cilët janë bllokuar në automobilat dhe shtëpitë e tyre, duke shtuar se askush nuk është në rrezik për jetë.

Në qytetin e afërt Mandra një grua është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj, ndërsa në një rrugë tjetër një burrë i moshuar gjithashtu është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij të vërshuar, kumtoi brigada e zjarrfikësve. Ndërkohë janë shpëtuar 12 njerëz nga autobusi i cili është bllokuar në një urë.

Televizionet greke transmetojnë xhirime ku njerëzit për t’iu shmangur përmbytjeve janë ngjitur në ballkonet apo çatitë e shtëpive të tyre, ndërsa autoritetet kanë marrë 160 thirrje për ndihmë.

Greqia dje shpalli gjendje të jashtëzakonshme në ishullin Simi i cili u përfshi nga stuhia për shkak të së cilës ishte ndërprerë energji elektrike dhe uji, shumë shtëpi janë vërshuar dhe një numër i madh i automjeteve kanë përfunduar në det.

SHKARKO APP