Ruçi takon Arifin: Tetova duhet të paraprijë pjesmarrjen në referendum
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi priti kryetaren e Bashkisë së Tetovës, Teuta Arifi, me të cilën bisedoi mbi zhvillimet më të fundit ne Maqedoni.
Gjatë takimit Kryetari i Kuvendit nënvizoi se pjesëmarrja e shqiptarëve dhe vota e tyre pro në referendumin e 30 shtatorit është shumë e rëndësishme.
Ruçi tha se shqiptarët duhet të bëhën masivisht pjesë e zgjidhjes, nënvizoi Ruçi.
Ruçi: Forcat politike dhe institucionet e qeverisjes qendrore e vendore të drejtuara prej shqiptarëve duhet të japin mesazhin e qartë në mbështetje të referendumit. Ne shqiptarët, jemi një faktor i rëndësishëm stabiliteti jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për të gjithë rajonin. Është pozitive që forcat politke shqiptare janë përgjithësisht pro referendumit dhe kjo duhet të pasohet edhe nga mbështetja e votuesve shqiptarë. Tetova duhet gjithashtu të paraprijë në këtë proces. Roli i Komunës së Tetovës është vendimtar për sigurimin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në referendum. Nuk duhet ta humbasin këtë shans historik.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, falenderoi z. Ruçi për mbështetjen që Shqipëria dhe Kuvendi i Shqipërisë u japin në këto çaste shqiptarëve në Maqedoni.
Ajo vlerësoi gjithashtu faktin që forcat politike dhe shqiptarët e Maqedonisë janë në mbështetje të referendumit dhe votës pro.
Arifi: Suksesi i referendumit të 30 shtatorit hap rrugën për ndryshime të tjera pozitive në Maqedoni, të cilat kanë dhe do të kenë edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Faktori ndërkombëtar mbështet si rallëherë në këtë çështje të gjitha forcat progresiste të Maqedonisë, të cilat përpiqen për zgjidhjen e problemeve, prosperitetin, paqen dhe stabilitetin në rajon.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, shprehën bindjen se shqiptarët do të marrin pjesë masivisht në referendumin e 30 shtatorit dhe vota e tyre do të jetë pro.