Samiti i Triestes jep pak shpresa për integrim të shpejtë të Ballkanit në Bashkimin Europian
Konceptuar si një instrument për mbajtjen e Ballkanit të angazhuar gjatë një periudhe disavjeçare gjatë së cilës nuk priten anëtarësime të reja në BE, samiti i nivelit të lartë në Trieste duket se dështoi të zgjidhë disa probleme kyçe në rajon ndërkohë që premtoi fonde modeste për infrastrukturë si dhe premtimin për krijimin e një mini-Europe përmes heqjes së barrierave jo-tarifore mes vendeve që pritet të presin gjatë para anëtarësimit.
Nga Gjergj Erebara
Një samit i nivelit të lartë mbi Ballkanin Perëndimor i zhvilluar në Trieste të Italisë përsëriti angazhimin e BE-së dhe të Ballkanit për integrim Europian ndërsa firmosi dy marrëveshje më të dobëta nga sa qe shpresuar për afrimin e vendeve të Ballkanit me njëra-tjetrën si një rrugë e ndërmjetme ndërkohë që integrimi i vërtetë mbetet larg.
Deklarata finale e Ministrisë së Jashtme të Italisë, [link] e cila qe mikpritësja e samitit, thotë: “Pjesëmarrësit në mënyrë unanime rikonfirmuan mbështetjen e tyre të qartë për perspektivën Europiane të Ballkanit Perëndimor, siç është deklaruar në Konkluzionet e Këshillit Europian më 9 Mars 2017, ndërsa theksojnë nevojën për përpjekje më të forta për reforma në Rajon”.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve Reuters raportoi se projekti final i firmosur në Trieste për krijimin e një Zone të Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal, qe më e paktë se sa Bashkimi Doganor, i premtuar në takimin e Sarajevës në shkurt të këtij viti. Mosarritja e Bashkimit Doganor erdhi si pasojë e kundërshtimit të Kosovës.
Marrvëveshja e re nënkupton angazhimin e gjashtë vendeve të Ballkanit jashtë BE-së, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnjës për të harmonizuar rregullat e investimeve, për të hequr barrierat jo-tarifore ndaj tregtisë si dhe për të fuqizuar paktin për tregtinë që sakaq ekziston, i quajtur Zona e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore, CEFTA.
Bosnja nga ana e saj dështoi të firmosë një marrëveshje tjetër, për përmirësimin e infrastrukturës së transportit, pasi njësia e saj autonome Republika Srpska e kundërshtoi marrëveshjen.
Samiti i Triestes është vijimësi i një serie samitesh që janë zhvilluar çdo vit që nga viti 2014 dhe që synojnë të mbajnë Ballkanin Perëndimor të angazhuar me Bashkimin Europian ndërkohë që integrimi i vërtetë pritet të jetë i ngrirë edhe për shumë vite.
Në vitin 2014, në Procesin e Berlinit, [link], u bë thirrje për krijimin e një platforme katërvjeçare komunikimi diplomatik me synimin “për të arritur progres real të mëtejshëm në reforma, për të zgjidhur problemet aktuale dypalëshe dhe të brendshme, për të arritur ripajtim brenda dhe mes shoqërive të rajonit.”
Procesi vijoi në Vienë në vitin 2015, samit në të cilin BE premtoi 200 milionë euro për rrugë dhe energji, shifra këto të konsideruara si të papërfillshme në krahasim me nevojat e Ballkanit për zhvillim të infrastrukturës së transportit dhe të energjisë.
Në samitin e Parisit në vitin 2016 [link] u krijua Zyra e Bashkëpunimit Rinor Rajonal si dhe u premtuan 100 milionë euro për tre projekte hekurudhore. Gjithashtu u ra dakord në parim për hartimin e një plani rajonal për zhvillimin e sektorit të hidroenergjisë, me synimin për të ndihmuar në balancimin e zhvillimit të hidroenergjisë me nevojat për mbrojtjen e mjedisit.