Serbët nderojnë presidentin Putin me një portret dylli
Në muzeun e vetëm të dyllit në Serbi do të shfaqet edhe figura në dyllë e presidentit rus, që sipas serbëve është një aleat i mirë në politikat ndërkombëtare dhe kundër Kosovës.
Nga Sasa Dragojlo, BIRN
Një portret prej dylli i Vladimir Putinit do të shfaqet në Muzeun e Dyllit në Jagodina në fillim të marsit dhe do të qëndrojë pranë portretit të yllit të sportit, Novak Djokoviç, shkencëtarit Nikola Tesla dhe Josip Broz Titos.
Dragan Markoviç presidenti i asamblesë vendase të Jagodinës, i tha BIRN se figura në dyllë e Putinit ishte gati dhe se ai shpresonte që diplomatët rus të vinin e të shihnin zbulimin e saj.
“Figura e presidentit rus Vladimir Putin ka përfunduar dhe po presim një përgjigje nga ambasada ruse në Beograd për praninë e tyre në hapjen zyrtare,” tha Markoviç.
Figura është vepër e dy skulptorëve nga Beogradi, Zoran Ivanoviç dhe Branislav Crvenkoviç.
Markoviç tha se ai vendosi që ta punonte Putin në dyllë për të falënderuar Rusinë për gjithçka që ka bërë për Serbinë në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Ne bëmë një portret të Putin për të treguar mirënjohjen ndaj Rusisë dhe Putinit për ndihmën në OKB në lidhje me rezolutën mbi Srebrenicën, rezistencën në ndalimin e hyrjes së Kosovës në UNCESCO dhe gjëra të tjera,” tha Markoviç.
Markoviç, ka qenë figura më e rëndësishme në Jagodina për mbi një dekadë.
Në vitet 1900, ai ishte anëtar i Partisë së Bashkimit Serb, kryetari i të cilës ishte famëkeqi i paraushtarakëve serbë Zeljko Raznatoviç, i njohur si Arkan, që u akuzua për krime lufte por nuk u gjykua kurrë. Ai u qëllua për vdekje në janar 2000.
Që nga 2008 ai ka mbështetur idenë e integrimit të Serbisë në BE, por nuk i ka ndryshuar ndjenjat e dashurisë për Rusinë.
Putin është një figurë e njohur në Serbi, ashtu si në Rusi, sipas disa sondazheve. Ai është qytetar nderi në 12 qytete në Serbi dhe ka marrë disa medalje nga shteti dhe kisha.
Muzeu i Dyllit në Jagodina u hap në vitin 2006 dhe është i vetmi në Serbi.
Rreth 30 figura të njohura historike, kulturore, fetare, politike dhe sportive të Serbisë dhe Jugosllavisë gjenden atje, përfshirë shkrimtarin Ivo Andriç dhe ish-patriarkun serb të Kishës Ortodokse Pavle, si dhe Tito, Tesla dhe Djokoviç.