Serbi/ Protestat kundër dhunës shtetërore, pas festave të Pashkëve

Shëtitjet protestore të studentëve kundër diktaturës në Serbi, pas 10 ditësh demonstrimi nëpër rrugë e sheshe, përfunduan për shkak festave të Pashkëve, për të vazhduar, të martën e 18 prillit, të këtij viti.

Nëpër këto protesta dhjetëditore, studentët e shoqëruar nga sindikalistët e policisë, ushtrisë dhe të një pjese të opozitës, janë hedhur shumë akuza kundër kabinetit qeveritar të presidentit aktual Aleksandër Vuçiq, i cili me rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale, po e tregon fytyrën e vërtetë të shtetit autoritar, diktatorial dhe njëpartiak, si në kohën e regjimit të satrapit Milosheviq.

Protestat e ditëve të fundit, për dallim nga ato të parat, nëpër shumë qendra të Serbisë, shquhen për masovitet, transparencë dhe zhurmëri, të përcjella me afishe, grafite, parulla, këngë, brohoritje, fishkëllima: “Poshtë Qeveria!”, “Nuk na frikëson Vuçiqi!”,  “Stop diktaturës!”, “Të gjithë në rrugë!”, “Për një jetë më të mirë!”, “Serbia s’është shesh lojërash!”, “Shumë arsye për kryengritje!”,  “Zoti na ruajt!” etj-etj.

Organizatorët e protestave qytetare, nuk e mohojnë presionin nga zyrtarët qeveritarë, që të heqin dorë nga shëtitjet, grafitet kërcënuese, hedhja e vezëve etj, duke u ofruar peshqeshe, madje edhe duke i frikësuar me pushim nga puna, inspektime, flet-arreste, bastisje etj, ndonëse nuk ka incidente rrugore e as intervenim të policisë për prishje të rendit dhe qetësisë.

Jankoviq, Jeremiq dhe Obradoviq, ish kandidatët e mundshëm për presidentë Serbie, të cilat pësuan debakël në këtë zgjedhje, janë të vetëdijshëm se vetëm me shëtitje rrugore, nuk mund të shembet Qeveria e sostifikuar e Beogradit, por duhet ndërruar qasja ndaj protestave, me një stil tjetër, duke mos përjashtuar radikalizmin, dhunën dhe gjakderdhjen, si në kohën e demonstratave të mëdha të 5 tetorit të vitit 2000, në Serbi, të cilat përmbysën regjimin diktatorial të Milosheviqit.

Këto lëvizje të krerëve të protestave, pushteti i Vuçiqit, i vlerëson me tendencë, duke i akuzuar për sajim konfliktesh në drejtim të provokimit të zemërimit të qytetarëve, për shkak të kinse “dhunës shtetërore”, me një fjalë për t’i mbuluar humbjet në zgjedhjet e fundit presidenciale, të cilat nuk u treguan të favorshme për ata, që sot po provojnë të mbjellin erë e të korrin furtunë.

Në këtë drejtim edhe shtypi botëror, është i kursyer rreth publicitetit të këtyre protestave, duke i heshtur ato, madje edhe duke aluduar te motivuesit e tyre rusofil e lobistët shqiptarë.

Treni i fundit për të bërë diçka më serioze rreth protestave, pritet në ditën e 11- të,  të tyre, që do të organizohen pas festave të Pashkëve, në fillim të javës së tretë të muajit prill.

Muaji i festave të vezë të lustruara në Serbi, do të kalojë në një atmosferë sa gëzimi aq dhe hidhërimi, për fatin e këtij shteti, i cili po prodhon më shumë pakënaqësi se sa lumturi për qytetarët e saj, të nacionaliteteve të ndryshme, me shpresa të thyera e të zhgënjyera se ndonjëherë do të bëhet mirë në këtë vend, të zhytur në probleme, të kripur në borxhe, të regjur në dhunë dhe të katandisur në skamje.

Sevdail Hyseni

SHKARKO APP