Serbia dhe Shkupi, një kufi
Serbia dhe Maqedonia e Veriut, do të kenë administrim të përbashkët kufiri. Dy vendet do te zbatojnë bashkërisht lëvizjen e njerëzve dhe mallrave në vendkalimin kufitar mes Preshevës dhe Tabanocës. Fillimin e zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, e përuruan kryeministrja serbe, Ana Bernabiç, dhe homologu i saj maqedonas Zoran Zaev, me pohimin se ky duhet të jetë shembull për bashkëpunimin rajonal.
Sipas Zaevit, në këtë mënyrë do të përshpejtohet lëvizja e udhëtarëve, mallrave dhe automjeteve, e do të rritet po ashtu numri i turistëve në të dy shtetet. Njohja e certifikatave ndërkufitare do të shmangë mashtrimet doganore, shtoi ai, do të lehtësoje luftën kundër korrupsionit dhe do të shtojë besimin e tregtinë mes dy vendeve.
Pa e fshehur entuziasmin, Bernabiç shkroi në Twitter se Serbia dhe Maqedonia Veriore janë të dyja te angazhuara në vlerat e paqes, bashkëpunimit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave. Sistemi i integruar i kufirit, sipas saj do të mundësojë lëvizjen më të shpejtë të kamionëve dhe do të nxisë tregtinë rajonale.