Serbia e vendosur: Nuk do lejojmë formimin e ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimin në OKB

Drafti i Strategjisë së Mbrojtjes, i publikuar nga Ministria serbe e Mbrojtjes thotë se Serbia do të vazhdojë bashkëpunimin e saj me NATO-n dhe Organizatat e Traktatit të Sigurisë Kolektive si një vend ushtarak neutral. Siç vuri në dukje ‘Blic’ teksti i këtij drafti do të bëhet publik në tryeza të rrumbullakëta të cilat do të mbahen në Novi Sad, Nish dhe Beograd. Një pjesë e draftit i cili është publikuar në gazetë, thekson se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës por do të punojë në interes të stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira të mundshme serbo-shqiptare për të vazhduar dialogun me institucionet e ‘përkohshme të Prishtinës’ me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përcjell Lajmi.net.

“Është pohuar se Serbia do të angazhohet për një zbatim të përpiktë dhe të qëndrueshëm të të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit dhe të jetë aktive në organizatat ndërkombëtare, do të ketë bashkëpunim bilateral që të përpiqet të parandalojë njohjen e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare në veçanti në OKB”.

Tutje, gazeta thekson se Serbia do të japë mbështetje të plotë për pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Prishtinës në mënyrë që të mbrojë popullatën serbe, të rrisë sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me Rezolutën 1244. Po ashtu, thuhet se Serbia është e angazhuar për praninë e vazhdueshme të KFOR-it dhe se kundërshton ndryshimin e mandatit dhe transformimit të forcave të armatosura në ushtri, pasi sipas tyre kjo do të destabilizonte situatën në Kosovë dhe do ta dëmtonte sigurinë në rajon.

SHKARKO APP