”Serbia të zgjedhë karrigen ku do të ulet”, opozita e Kosovës: Kurti të koordinohet më shumë me Ramën

Deputetët e Kosovës përshëndetën miratimin e rezolutës së Parlamentit Europian, ku dënohet ashpër sulmi terrorist në Banjskë. Lëvizja Vetëvendosje tha se kjo duhet të jetë një pikë kthese për në BE, ndërsa opozita kërkoi që kryeministri Kurti të koordinohet më shumë me homologun shqiptar, Edi Rama.

“Parlamenti Evropian miratoi rezolutën për dënimit e sulmit në Banjskë pasi askush në familjen evropiane nuk ka luksin të merret edhe me një Putin në rajon dhe kjo rezolutë uroj të jetë një pikë definuese se në cilën karrige dëshiron Serbia të ulet”, u shpreh Jeta Statovci, deputete e LVV.

“Është e rëndësishme që ne së bashku të kemi një angazhim më të madh në nxjerrjen në pah rreth këtij sulmi dhe rreth të vërtetës për sulmin terrorist të sponsorizuar nga Serbia. Tashmë janë shtuar zërat mbështetës edhe nga BE-ja që të kërkohet një hetim ndërkombëtar për këtë çështje…Kryeministri jonë do të duhej t’i kërkonte Republikës së Shqipërisë, e cila është anëtare e përkohshme dhe kryesuese e Këshillit të Sigurimit, që së bashku me shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të angazhohet dhe të kemi një seancë të veçantë të Këshillit të Sigurimit”, deklaroi Abelard Tahiri, deputet i PDK.

“Në një fjali presidenti Macron nuk u keqinterpretua. Ai tha se Kosova nuk po e mban fjalën e dhënë. A ka mundësi kryeministri i Kosovës të vijë dhe t’ju tregojë qytetarëve se për çfarë premtimi iu ka dhënë liderëve evropianë dhe për çka është zotuar si udhëheqës dhe për çka nuk po e mban fjalën”, u shpreh Besnik Tahiri, deputet i AAK.

SHKARKO APP