SHBA shprehin shqetësim për tensionimin e situatës në Maqedoni

Në Maqedoni, zgjedhjet e 11 dhjetorit, që synonin t’i jepnin fund krizës politike në vend, duket se e kanë thelluar atë edhe më tej.

Duke folur të martën në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby, shprehu shqetësimin e qeverisë amerikane për shtimin e tensioneve politike në Maqedoni.

Shtetet e Bashkuara, tha ai, dënojnë “retorikën provokuese nga disa udhëheqës politikë, që bëhet shkas për nxitjen e sulmeve ndaj institucioneve demokratike dhe ambasadorëve të akredituar në Maqedoni”.

Ditën e shtunë, ish kryeministri i Maqedonisë dhe kryetari i partisë VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, duke folur para përkrahësve të tij, tha se “disa ambasadorë po përzihen në punë e brendshme të Maqedonisë”, ndërsa akuzoi Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, organizatat jo-qeveritare dhe partitë opozitare se po përpiqen t’i rrëmbejnë fitoren partisë së tij.

Pa i përmendur me emër, por duke i nënkuptuar qartazi, zoti Gruevski akuzoi ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve të Bashkimit Evropian. “Kërkojmë që ata të qëndrojnë në kornizat e mandatit të tyre dhe të ndalojnë përzierjen në punët e brendshme të Maqedonisë”, tha zoti Gruevski.

Protestuesit e pranishëm gjatë fjalimit mbanin pankarta, në të cilat shkruhej: “Donald Trump ne të duam!” dhe “Ambasador Bejli, larg duart nga Maqedonia!”

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Kirby, u bëri thirrje udhëheqësve politikë në Maqedoni të heqin dorë, siç u shpreh ai,“nga këto sulme të pajustifikuara, të respektojnë procesin demokratik dhe të lejojnë formimin e një qeverie të besueshme e të qëndrueshme, që respekton shtetin ligjor dhe liritë bazë. Shtetet e Bashkuara, tha zëdhënësi amerikan, janë të gatshme ta ndihmojnë një qeveri të tillë, që të realizojë synimet e Maqedonisë për integrimin euro-atlantik”.

Aktualisht, VMRO-DPMNE ka 51 mandate, ndërsa Lidhja Social Demokrate 49. Nga partitë shqiptare, BDI ka 10 mandate, Besa 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSh 2. Deri tani ato nuk janë shprehur publikisht lidhur me koalicionet e mundshme.

Gjykata Administrative vendosi të martën që të përsëriten zgjedhjet në Tearcë pranë Tetovës.

Në varësi të rezultatit, numri i vendeve të fituara në parlament mund të ndryshojë, duke i nxjerrë dy partitë maqedonase, VMRO-DPMNE dhe Lidhjen Social Demokrate, me numër të njëjtë ligjvënësisht, nga 50 secila.

Votimet në Tearcë, ku ka 714 votues të regjistruar, pritet të mbahen më 25 dhjetor.-VOA

SHKARKO APP