Shkarkohet kryeprokurorja e antikorrupsionit
Presidenti i Rumanisë shkarkoi dje kryeprokuroren e antikorrupsionit, Laura Codruta Kovesi, në zbatim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Kovesi tha se vendimi mund t’i lërë prokurorët të zbuluar ndaj ndërhyrjeve politike.
Ajo ka qenë në krye të agjencisë anti-korrupsion që nga viti 2013, dhe nën drejtimin e saj, numri i dënimeve është rritur ndjeshëm në njërin prej vendeve më të korruptuara të Bashkimit Evropian, duke marrë përgëzime nga Brukseli, i cili e ka gjyqësorin rumun nën vëzhgim të posaçëm.
Vitet e fundit, prokurorët kanë siguruar një varg dënimesh kundër deputetëve, ministrave dhe kryebashkiakëve, nën akuzat për konflikte interesi, shpërdorim pushteti, mashtrime dhe dhënie kontratash shtetërore në shkëmbim të ryshfetit.