Shkrimtari Agim Vinca: Emri i ri i Maqedonisë nuk i bën shqiptarët të lumtur
Shkrimtari dhe njohësi i mirë i rrethanave historike e politike në Maqedoni, Agim Vinca, ka thënë se emri i ri i Maqedonisë, që u arrit si marrëveshje mes Maqedonisë e Greqisë, nuk është një zgjidhje që i bën të lumtur shqiptarët.
Sipas tij emri “Republika e Maqedonisë së Veriut”, s’është më i duhuri.
“Maqedonia si shtet i pavarur është një vend me strukturë teknike shumë heterogjene. Maqedonia pra është një vend me strukturë të përzier etnike. Prandaj, mendoj se propozimi; Republika e Maqedonisë së Veriut nuk mund të na bëjë shumë të lumtur ne shqiptarët. Për shkak se ky nocion gjeografik ka konotacione etnike, kur thuhet sot Maqedoni, nënkupton maqedonasit si etnikë dhe shqiptarët nuk pranojnë ta quajnë veten maqedonas. Përkundër arritjes së pajtimit, ky proces duhet të kalojë edhe në faza tjera, deri sa vendimi për emrin të jetë fuqiplotë. Pritet të mbahet referendumi. Në referendum do të deklarohet populli, pastaj se si do të zhvillohen punët tutje unë nuk e di, theksoi profesori Vinca.
Ai ka shtuar se mbase propozimi i tij, “Republika Qendrore e Ballkanit”, ishte më i duhuri dhe më i favorshmi për shqiptarët.
“Propozimi ishte Republika Qendrore e Ballkanit – ky do të ishte i pranueshëm për shqiptarët po se po. Ky propozim fliste për pozitën gjeografike në Ballkan”, nënvizoi profesori strugan.
Vinca gjithashtu ka deklaruar se është i pakënaqur me aktivitetin e faktorit shqiptar në gjithë këtë proces.
Sipas tij, faktori shqiptar në Maqedoni dhe në rajon Tirana zyrtare ka qenë shumë pasive – ka qenë jashtë loje, nuk është pyetur, nuk ka dalë me propozime./ina/