Shqipëria i ”ndez dritat” Kosovës

Ministria e Ekonomisë në Kosovë, thotë se falë një marrëveshje të arritur mes Korporatës Energjetike të Kosovës dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë, Kosova ka siguruar energjinë e nevojshme dhe nuk do të ketë ndërprerje të saj, ashtu siç ishte njoftuar më herët. Për shkak të situatës botërore me energjinë, Ministria iu kërkon qytetarëve të Kosovës që ta kursejnë atë.

“Duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike.

Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim. Megjithatë, marrë parasysh situatën, luten të gjithë qytetarët dhe bizneset që të marrin masa kursimi dhe të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike. Bashkëpunimi me Shqipërinë do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës ku ndodhemi”, shkruhet në njoftim.

SHKARKO APP