Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut forum për lehtësimin e procedurave dhe tarifave doganore
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokuta ka njoftuar në faqen e tij zyrtare mbi takimin e zhvilluar në Shkup. “Lehtësimi i tregtisë përmes bashkëpunimit institucional mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, ishte tema për të cilën diskutuam gjatë Forumit Ekonomik Rajonal organizuar në Shkup, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut”, shkruhet në njoftim.
Në Forum ishin pjesëmarrës edhe homologët e Kosovës, Bahri Berisha dhe të Maqedonisë së Veriut, Gjoko Tanasoski, të cilët theksuan nevojën për një bashkëpunim më të madh ndërinstitucional për të lehtësuar tregtinë mes vendeve prezentë në takim, ka bërë me dije Gjokuta.
Gjatë panelit të Drejtorëve të Doganave, Gjokuta informoi të pranishmit mbi arritjet e deritanishme të Doganës Shqiptare, por edhe objektivat që synohen të arrihen. “Lehtësimi i procedurave dhe tarifave doganore do të bëjë që shkëmbimet tregtare mes vendeve tona të rriten si dhe do të ndihmojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve përtej tregut rajonal,” është shprehur Gjokuta.