Shqiptarët e Maqedonisë do të përkujtojnë ngjarjet e Kumanovës

Një vit pas të shtënave të përgjakshme në Kumanovë, partitë etnike shqiptare në opozitë kanë planifikuar një protestë më 9 maj kundër VMRO-DPMNE dhe aleatit BDI në qeverisje.

Nga Fatjona Mejdini, BIRN

Partitë etnike shqiptare në opozitë në Maqedoni po organizojnë një marshim proteste më 9 maj në qytetin verior të Kumanovës për të përkujtuar 1-vjetorin e ngjarjeve të përgjakshme që çuan në vdekjen e 14 qytetarëve dhe 8 policëve.

Nën ombrellën e Këshillit Opozitar, partitë po bashkojnë përpjekjet për të mbajtur një tubim që gjithashtu do të shënojë fillimin e një fronti më të koordinuar anti-qeveritar mes mbështetësve shqiptarë të opozitës.

Protesta do të mbahet nën sloganin “Drejtësi, dinjitet dhe demokraci” dhe synon të demaskojë ato që opozita i quan abuzime që qeveria e ish-kryeministrit Nikola Gruevski ka bërë kundër shqiptarëve.

Bilall Kasami, lider i lëvizjes Besa, një parti e re opozitare, tha se ishte çasti për t’i dhënë fund padrejtësisë të bërë ndaj shqiptarëve etnikë.

“Shqiptarët do t’i thonë ‘stop’ padrejtësisë, diskriminimit dhe proceseve false të gjykatave kundër tyre”, postoi Kasami në Facebook.

Të mërkurën, një tjetër parti etnike shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik, gjithashtu lajmëroi se do t’i bashkohej marshimit më 9 maj.

“I informojmë të gjithë mbështetësit se do të jemi pjesë e protestës kundër abuzimit me pushtetin nga VMRO-DPMNE [partia e udhëhequr nga Gruevski] dhe vartësit e tyre shqiptar”, deklaroi partia.

Në ditët e ardhshme, të tjera parti opozitare pritet t’i bashkohen protestës, që do të drejtohet edhe kundër partisë shqiptare të koalicionit qeverisës, Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI, kryesuar nga Ali Ahmeti.

Partitë opozitare shqiptare akuzojnë BDI për tradhti ndaj interesave të shqiptarëve në Maqedoni për të ruajtur koalicionin me Gruevskin.

Protestat e planifikuara nga shqiptarët janë pjesë e protestave më të mëdha ati-qeveritare që vazhdojnë në Shkup dhe qytete të tjera, filluar pas dekretit presidencial të Gjorge Ivanov për të pushuar hetimet penale ndaj politikave të lartë dhe partnerëve të tyre.

Lëvizja Besa tha se mbështet të gjitha format e protestës kundër regjimit dhe shumë flamuj shqiptar janë parë të valëviten përkrah flamujve maqedonas në protestat e mëparshme anti-qeveritare.

Kriza në Maqedoni rrotullohet rreth akuzave të opozitës se qeveria e kryeministrit Gruevski ka përgjuar ilegalisht 20,000 persona dhe ka bërë shkelje të tjera të rënda.

Një burrë ecën pranë një shtëpie të shkatërruar nga luftimet në Kumanovë më 11 maj 2015. (AP Photo/Marko Drobnjakovic)

Shkaqet e përplasjes së përgjakshme në Kumanovë një vit më parë mes policisë dhe shqiptarëve të armatosur nga Maqedonia dhe Kosova mbeten të panjohura.

Gruevski e quajti përballjen një plan për të destabilizuar vendin duke sulmuar forcat e policisë.

Megjithatë, partitë opozitare shqiptare dhe disa vëzhgues, përfshirë liderin e opozitës së Social Demokratëve, Zoran Zaev, hodhën dyshimin se autoritetet u përpoqën të shpërqendronin publikun nga kriza duke orkestruar trazira etnike.

Partia VMRO DPMNE e Gruevskit ka mohuar me forcë pretendimet për të shtënat në Kumanovë.

SHKARKO APP