Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut t’ia japin votën Blerim Rekës
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të shkojnë të dielën për të votuar për kreun e ri të shtetit. Përballë kandidatëve maqedonas, Stevo Pendarovski i LSDM-së në pushtet dhe Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate presidenciale e VMRO-DPMNE-së në opozitë, është kandidati i pavarur shqiptar Blerim Reka.
Partia ”Zgjidhja” e vlerëson kandidaturën e Blerim Reka, si një person me integritet, përgjegjësi të lartë dhe përgatitje të shkëlqyer profesionale. Reka përfaqëson ajkën e inteligjencës së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke qenë një ndër juristët më të dalluar në fushën e të drejtës ndërkombëtare publike. Falë formimit të tij dhe integritetit moral, Reka ka punuar për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët mund të përparonin në realizimin e të drejtave të tyre duke mbështetur kandidaturën për president të Blerim Rekës. Vota e shqiptarëve dhe jo vetëm, për Blerim Rekën për president, do t’i hapte rrugë disa prej ndryshimeve të nevojshme e të shumëpritura prej qytetarëve.
Partia ”Zgjidhja” u bën thirrje votuesve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, që të dielën të votojnë masivisht për Blerim Reka, si përfaqësues i interesave të shqiptarëve dhe të mos ua japin këtë mbështetje dy kandidatëve maqedonas. Partia ”Zgjidhja” beson se zgjedhja e një president shqiptar do të ishte një nxitje e madhe që popullsia shqiptare në Meqedoninë e Veriut të ketë vendin që meriton në shtetformim dhe të drejta kushtetuese, siç parashikonte edhe marrëveshja e Ohrit e nënshkruar 19 vite më parë, ende e paimplementuar nga shumica sllave në pushtet.