Si u zhduk dokumenti origjinal i Marrëveshjes së Ohrit
Dokumenti origjinal i Marrëveshjes së Ohrit është zhdukur nga arkivat e Maqedonisë dhe askush nuk mban përgjegjësi për këtë.
Dokumenti, i cili i dha fund konfliktit të dhunshëm, mes etnisë shqiptare dhe maqedonase në vitin 2001, nuk ekziston as në dokumentacionin e Presidentit të Maqedonisë dhe as në Arkivat Shtetërore. Kur origjinali i dokumentit, i cili ishte i shkruar në gjuhën angleze, sipas ligjeve të arkivimit në Maqedoni duhej të ishte nën kujdesin e Arkivave të Shtetit. Por Arkivi Shtetëror i Maqedonisë ka njoftuar se nuk i është dorëzuar dokumenti origjinal i Marrëveshjes.
Në dokumentin origjinal të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit kanë qenë të vendosura edhe nënshkrimet origjinale të ish-kryetarit të Maqedonisë, Boris Trajkovski, ish- liderit të VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër i mëparshëm, Lubço Gjeorgjievski, dhe të kryetarëve të atëhershëm të LSDM-së, Branko Cërvenkovski, të PPD-së, Imer Imeri dhe PDSH-së, Arbën Xhaferi.
Në dokument, nënshkrime si dëshmitarë zyrtar kishin vendosur edhe ndërmjetësuesit ndërkombëtar, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju. Dje në Maqedoni u përkujtua tetëvjetori i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Përfaqësuesit e OSBE-së, SHBA-së dhe BE-së në Maqedoni, u kërkuan palëve të plotësojnë deri në fund kërkesat e kësaj marrëveshjeje paqësore.
Sidoqoftë nga marrëveshja e Ohrit nuk janë zbatuar 90 për qind e përmbajtjes, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, përfaqësimin e barabartë në institucionet shtetërore dhe decentralizmin. (INA)