Skandali i përgjimeve, drejtësia greke vendos ekstradimin e dy maqedonasve
Gjykata e Apelit në Selanik ka propozuar ekstradimin e dy shtetasve maqedonas që akuzohen në vendin e tyre për implikim në skandalin e bujshëm të përgjimeve telefonike gjatë kohës që në pushtet ishte ish-kryeministri Nikola Gruevski.
Senaca e ditës së mërkurë u ndërpre dhe do të vazhdojë të premten, kur pritet të shpallet vendimi.
Procesi është zhvilluar me dyer të mbyllura, pas kërkesës së avokatëve mbrojtës.
Dy personat në kërkim e kanë kundërshtuar masën e ekstradimit, me argumentin se po të kthehen në Maqedoni “rrezikon jeta e tyre” dhe se “nuk kanë garanci për një proces të drejtë gjyqësor”.
Ata i kanë mohuar akuzat, duke e cilësuar si “politike” ndjekjen e tyre.
Dy shtetasit maqedonas, me moshë 51 dhe 53 vjeç, u arrestuan para dy muajsh në aeroportin e Selanikut, kur tentuan të udhëtonin për në Budapest me pasaporta bullgare të falsifikuara.
Gjatë verifikimit, rezultoi se ndaj tyre kishte urdhër arresti ndërkombëtar me akuzat për “përgjime të paligjshme” dhe “kryerje krimesh të teknologjisë së avancuar”.
Prej atëherë, të dy ata mbahen në paraburgim, ndërsa kanë aplikuar edhe për marrje azili në Greqi.