Sot sërish debat në Kuvendin e Maqedonisë për qeverinë e re
Debati në Parlamentin e Maqedonisë për votimin e Qeverisë së re do të vijojë sërish sot. Një ditë më parë kryeministri i sapomandatuar, Zoran Zaev prezantoi programin e qeverisë së tij.
Deputetët e partive përbërëse të pushtetit u ulën afër anëtarëve të ardhshëm të ekzekutivit të ri. Deputetët e opozitës, VMRO-DPMNE-së dhe BESËS, kundërshtuan përbërjen e kabinetit të ardhshëm qeveritar duke i konsideruar persona të dëshmuar, pa kapacitet reformues, të përfshirë në afera korruptive dhe në hetime. BDI-ja kritikoi VMRO-DPMNE-në për shumë vendime të saj në dëm të qytetarëve kurse për VMRO-DPMNE-në ishin të paqarta kritikat e partnerit të deritanishëm me të cilin kanë ndarë pushtetin.
“Aq shumë lëvdata ka ndaj LSDM-së në fillim të mandatit të cilat nuk mund t’i kuptoj. Ashti siç nuk mund të kuptoj aq shumë kritika për Qeverinë të cilën deri dje e keni mbështetur. Sinqerisht unë mund të them vetëm diçka se ne si VMRO-DPMNE duhet ta rishqyrtojmë raportin ndaj votuesve shqiptarë sepse kemi lejuar që në këtë mënyrë të krijojnë përshtypje për ne”- tha Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.
“Çdo projekt, çdo para të investuar te fshatrat shqiptarë, nuk i keni falur. Nuk është dhuratë e partisë tuaj ose pjesës tuaj të Qeverisë. Shqiptari në këtë shtet paguan tatime dhe në raport me atë që jep, nuk merr sa duhet. Dhe mos përmendni sallat. Unë e di se si kemi luftuar për çdo sallë dhe për çdo shkollë sikur jua kemi marrë paratë nga xhepi. Mos i hapni këto tema ju lutem”- u përgjigj Xhevat Ademi, BDI.
Të mërkurën është edhe afati i fundit për zgjedhjen e Qeverisë. Partitë përbërëse të kabinetit numërojnë 62 deputetë në Kuvend kurse Qeveria mund të zgjidhet me, të paktën, 61 vota “për”./Alsat M/