Stoltenberg – kryeministrit Zaev: Pa finalizimin e marrëveshjes së emrit s’ka NATO

BRUKSEL- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sot ka pritur në takim kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, me të cilin kanë biseduar për çështjet aktuale politike, përparimin e Maqedonisë si dhe samitin e radhës të NATO-s në korrik.

Pas takimit Zaev dhe Stoltenberg kanë mbajtur konferencë për shtyp, në të cilën Stoltenberg konfirmoi se në samitin e korrikut Maqedonia do të ftohet zyrtarisht për anëtarësim në NATO.

“Patëm një takim të shkëlqyeshëm, ku diskutuam për disa çështje. Përshëndes marrëveshjen mes Athinës dhe Shkupit. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Tani është mundësia për të ardhme më të mirë, marrëveshja me Greqinë është shembull për rajonin se si të zgjidhin kontestet. Në samitin tonë për dy javë ne do të ju ftojmë juve që të fillojmë negociatat për anëtarësim. Dyert e NATO-s janë të hapura dhe tani ju jeni aty duke pritur. Në samitin e radhës do t’ju ftojnë në NATO, prandaj ju them “Mirë se erdhët në NATO”, tha mes tjerash Stoltenberg.

Ndërsa kryeministri Zoran Zaev tha se qeveria e tij ka arritur atë që nuk e ka bërë askush deri tani. Zaev falënderoi Stoltenbergun, duke shtuar se Maqedonia e meriton të jetë pjesë e NATO-s.

“Jemi këtu mes miqve tanë, me të cilët për 10 ditë presim të nënshkruajmë kapitull të ri. Presim që të marrim pjesë në ceremoninë ku flamuri i Maqedonisë do të zë vend në NATO. Maqedonia aktivisht ka marrë pjesë në misionet e NATO-s, në këtë drejtim kemi përgatitur strategjinë tonë për luftë kundër korrupsionit dhe terrorizmit. Me pjesëmarrje në këto misione është rritur kapaciteti i ushtrisë. Me zgjidhjen e kontestit me Greqinë, vendi jonë ka marrë atë që ka merituar. Ndërsa me Bullgarinë vendosëm marrëdhënie, që na kishin munguar një kohë të gjatë”, tha mes tjerash Zaev.

SHKARKO APP