Stoltenberg nis takimet zyrtare në Maqedoninë e Veriut

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka filluar takimet me krerët shtetërorë në kuadër të vizitës së tij dyditore në Maqedoninë e Veriut.

Pasi u ul në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, Stoltenberg bashkë me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, përkatësisht Këshillit Veriatlantik, arritën në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku u organizua pritje solemne për nder të tyre.

Përpos Xhaferit, në Kuvend të pranishëm ishin edhe delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev, si dhe diplomatë të vendeve të ndryshme.

Të hënën, para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut do të mbahet pritje solemne me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai në Qeveri do të ketë takim dypalësh me kryeministrin Zoran Zaev, pas çka do të mbahet takim i Këshillit Veriatlantik me Komitetin për Integrim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.

Gjithashtu, shefi i NATO-s do të takohet edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Këshilli Veriatlanik është trupi kryesor politik që sjell vendime në NATO. Këshilli i mbikëqyr politikat dhe proceset ushtarake në lidhje me çështjen e sigurisë që ndikojnë në Aleancë. Atë e përbëjnë përfaqësues të të gjitha vendeve, ndërsa kryesues është Sekretari i Përgjithshëm.

Kjo është vizita e parë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe Këshillit Veriatlantik në Shkup pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësimin e vendit në Aleancë.

SHKARKO APP