”Takim i vështirë, nuk ka dorëzim”, përfundon pa marrëveshje takimi mes Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel

Pa ndonjë marrëveshje u mbyll takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimi i radhës do të mbahet më 18 mars. Pas pak në një konferencë për media për të folur për takimin, pritet të dalë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka dërguar një mesazh nga takimi trilateral që po mbahet në Bruksel. Vuçiç ka thënë se ishte takim i vështirë dhe se nuk do të ketë dorëzim. ”Një takim i vështirë. Ashtu siç është pritur. Nuk ka dorëzim”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Instagram.

Takimi i nivelit të lartë u zhvillua mes kaosit të përplasjeve diplomatike Prishtinë-Beograd, rrugët e së cilave priten të zgjidhen në udhëkryqin e përbashkët të Planit franko-gjerman. Në thelb, plani nuk parasheh njohje reciproke, por mëvetësinë e shtetit sovran në arenën ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, më 2013 dhe 2015, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

SHKARKO APP