Takimet në Bruksel/ Vuçiç refuzon ofertën nga Kurti, ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore

Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje për takimin e kryeministrit Albin Kurti, me liderët evropianë në Bruksel. Kurti ka thënë se veç nënshkrimi i marrëveshjeve nënkupton pranim dhe garantim të tyre.

“Në takimin e sotëm, me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Xhorxhia Melloni, presidentin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel, zëvendës presidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë Joseph Borrell, si dhe emisarin e tij Mirosllav Lajçak, Kryeministri Kurti i falënderoi të gjithë ata për rolin, angazhimin dhe kontributin për paqe dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

Kurti theksoi që pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit, në Zveçan, prioritet për të është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë, meqë nga ana tjetër erdhën paramilitarët të cilët kryen sulm terrorist e kriminal duke vrarë e plagosur policë të Kosovës. Që kjo të mos përsëritet kurrë më, nevojiten sanksione dhe ndëshkim për Serbinë.

“Hetimet për grupin paramilitar e terrorist të sponzorizuar nga Serbia, duhet të përcaktojnë saktë se kush krejt çka bëri dhe si e ekzekutoi këtë akt agresioni, ndërkohë që nuk ka më dilema as te faktorët ndërkombëtarë mbi fajtorin”, shtoi ai.

Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike.

“Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet më tej.

SHKARKO APP