Takimi i 18 marsit me Vuçiç, Kurti: Me Lajçakun flasim për plan zbatimi të propozimit të BE-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehet optimist për vizitën e të dërguarit të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak. I pyetur nga mediat, shefi i qeverisë tregoi dhe pritshmëritë e tij për bisedën me ndërmjetësuesin lidhur me përgatitjet për takimin e radhës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për propozimin europian për normalizimin e marrëdhënieve.
“Pritjet tona janë që do të vazhdojnë përgatitjet për takimin e datës 18 mars në Maqedoninë e Veriut në Ohër dhe të shohim se si do të mund të ja bashkangjesim përkufizimin të dakorduar europian dhe një plan të mirëfilltë zbatimi që duhet të karakterizohet nga gjithpërfshirja dhe nga efikasiteti”,-u shpreh Kurti.
Kurti përsëriti gatishmërinë e tij për ta firmosur propozimin europian, duke shprehur keqardhje që diçka e tillë nuk ndodhi në takimin e 27 shkurtit.