Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, diplomati Arben Çeku: Prologu i asaj që do të vijë më vonë
Diplomati dhe njohësi i zhvillime në rajonin e Ballkanit, Arben Çeku ka komentuar takimin e mbrëmjes së djeshme mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në Bruksel. Sipas Çekut, nga ky takim nuk ka as humbës, por as të fituar, për vetë faktin se marrëveshja në fjalë nuk është e formalizuar vetë si një e tillë, pra ka nevojë për pak më shumë transparencë nga ana e Kurtit për të thënë se çfarë lloj Asosacioni është përshkruar në këtë dokument dhe nëse a e ka pranuar apo jo vetë Kurti këtë marrëveshje.
Z. Çeku si e lexuat atë që ndodhi në Bruksel? A ka të humbur? A ka të fituar në këtë histori në raportin mes Kosovës dhe Serbisë?
Nga ajo që është publikuar edhe në raportin e BE që është paraqitur si një marrëveshje, nuk duhet të ketë të humbur në pamje të parë, por nuk ka edhe fitues të qartë. Së pari, për faktin se vetë kjo marrëveshje nuk është e formalizuar vetë si një marrëveshje. Nuk ka një qartësi në pranimin e këtij dokumenti. Nuk është paraqitur thelbi i marrëveshjes dhe këtu ka nevojë për pak më shumë transparencë nga Kryeministri i Kosovës për të thënë se çfarë lloj asosacioni është përshkruar në këtë dokument dhe a e ka pranuar apo jo Kurti këtë marrëveshje.
Thelbi i gjithë takimit të djeshëm është fakti a e ka pranuar z. Kurti atë që ai e ka quajtur “Zajednica”. Në rast se po, në çfarë përmasash dhe a është më e keqe “Zajednica” e Brukselit tani apo ishte më parë? Në sa pika bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës? A është kjo në kufijtë e një autonomie lokale për serbët dhe sa e rrezikon kjo funksionalitetin e shtetit të Kosovës në të ardhmen.
Pjesa tjetër është për tu parë pasi ka shumë pikëpyetje dhe paqartësi, se sa qartësi për këtë çështje. Unë mendoj që ajo që u lexua dje, është prologu i asaj që do të vijë më vonë, që ne jemi ende të paqartë dhe ndoshta deri në takimin e Kumanovës do të kemi më shumë detaje.