Takimi me Putin, Vuçiç: Serbia e gatshme të bëjë kompromis me Kosovën, por s’do poshtërohet

“Ia thashë edhe Putinit se, pa Rusinë dhe pa pëlqimin e Moskës është pamundur të arrihet çfarëdo zgjidhje për Kosovë”. Kështu deklaroi presidenti serb Aleksandar Vuçiç pas takimit që ai zhvilloi me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Vuçiç theksoi se Rusia do të monitorojë përmbajtjen e bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Rusia në këtë drejtim do të monitorojë përmbajtjen e bisedimeve tona dhe çdo gjë që do të ndodhë dhe me kohë do të reagojë në një mënyrë të caktuar, që nuk do të thotë negociata të drejtpërdrejta, sepse ato zhvillohen nën patronazhin e BE-së”, tha Vuçiç.

Ai tha se me Putinin ka pasur një bisedë shumë të gjatë, të hapur dhe të sinqertë. “Presidenti i Rusisë kishte durim për të dëgjuar të gjithë atë që unë kisha nevojë për t’ia thënë, shpjeguar dhe shpalosur si qëndrime të Serbisë për problemin tonë kryesor, e kjo është Kosova. Më duket se kurrë më gjatë nuk kemi biseduar për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe marrëdhëniet brenda bashkësisë ndërkombëtare. Qëndrimet tona në masë të madhe përputhen”, tha Vuçiç. Mes të tjerash presidenti serb tha se Serbia është e gatshme që të të bëjë kompromis me shqiptarët e Kosovës, por sipas tij nuk do të pranojë të poshtërohet nga rrënimi i të drejtës ndërkombëtare.

“E përsërita disa herë se Serbia është e gatshme të bëjë kompromis me shqiptarët e Kosovës, por nuk është dhe kurrë nuk do të jetë e gatshme të pranojnë poshtërimin e saj dhe rrënimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare. Ne këtu nuk jemi paraqitur në mënyrë që ta kërcënojmë dikë. E kemi lutur Putinin që si një nga vendet më të rëndësishme dhe më të fuqishme në OKB dhe organizata të tjera të na ndihmojë në zgjidhjen e problemit të Kosovës”, tha Vuçiç.

SHKARKO APP