Tani topi është në fushën e Prishtinës! ”Lista Serbe” i bindet Vuçiç-it

Lista Serbe  dëgjon këshillat e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja komunale në veriun e Kosovës. Kryetari i partisë, Goran Rakiç e konfirmoi dicka të tillë për mediat, pak pasi presidenti Aleksandër Vuçiç iu bëri thirrje serbëve të Kosovës të ndërmarrin hapa pwr mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

“Më duhet të them se duhet të jemi të bashkuar dhe në këto kushte të pamundura të përpiqemi të jemi krijues të fatit tonë dhe të mbrojmë njerëzit. Gjithmonë kemi marrë vendime politike në interes të qytetarëve, duke mos parë nëse ata po nxjerrin pikë politike”, tha presidenti.

Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, udhëhiqen tani nga kryetarët shqiptarë. Ata e morën detyrën pas zgjedhjeve të prillit, të bojkotuara dhe kundërshtuara ashpër nga serbët lokalë, duke shkaktuar tensionim të situatës.

Kosova e përballur me masa ndëshkuese nga BE-ja, ka pranuar të riorganizojë zgjedhjet e reja, por kërkon ta bëjë këtë vetëm përmes një udhëzimi administrativ që u mundëson qytetarëve të shkarkojnë kryetarët e komunave përkatëse përmes një peticioni.

Më përpara ka refuzuar kategorikisht, largimin e kryetarëve me peticion duke kërkuar vetëm dorëheqjen e tyre. Vuçiç shtoi se kjo duhet të bëhet në mënyrë që levat bazë të qeverisjes të jenë në duart e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës.

SHKARKO APP