Të luash me idenë e luftërave të reja në Ballkan

Situata në Ballkan është larg nga të qenët e shkëlqyer, por gjëja e fundit që rajoni ka nevojë është një grup të ashtuquajturish “ekspertë” që hedhin benzinë për konflikte të ardhshme.

Nga Dejan Anastasijeviç

Thonë se gjeneralët gjithnjë luftojnë luftëra të mëparshme. Ekspertët, nga ana tjetër, gjithnjë mbajnë një sy hapur për ato të të ardhmes, duke kërkuar shkëndijën që do të nxiste përplasjen. Këtë javë pamë disa artikuj, të gjithë të publikuar në gazeta të respektuara perëndimore, që parashikojnë një kasaphanë të re në rajonin i cili ende po rimerr veten  nga konfliktet e të shkuarës.

Së pari doli një opinion i titulluar “Si Donald Trump mund të ndezë aksidentalisht konfliktin në Ballkan”, që doli të hënën më 23 janar në Independent. Autori, ish sekretari britanik për zyrën me jashtë, Dennis MacShane fliste për “paaftësinë e jashtëzakonshme të serbëve dhe kosovarëve për të jetuar me njëri-tjetrin” dhe e mbështeti këtë te mendimet e Churchill mbi Irlandën e Veriut nga 1918 [“Integriteti i grindjes së tyre është një nga pak institucionet që kanë mbetur të pandryshuara në kataklizmin ku është zhytur bota.”]

Duke përshkruar tensionet e reja të krijuara nga një përpjekje për të dërguar një tren të dekoruar me slogane nacionaliste në Kosovën e veriut, MaCShane argumentoi se serbët “e shohin të pamundur të bëjnë paqe përfundimisht me Kosovën” dhe po shohin nga Moska për ndihmë për të rimarrë ish-provincën e tyre. “Trump mund të dijë diçka për nevojën për t’u larguar nga sundimi i Beogradit nga gruaja e tij e tretë Melania, e cila jetoi në Slloveni në fillim të dekadës së luftës së Ballkanit në 1990… Por nëse Putin i kërkon Trump një nder për Serbinë, Ballkani Perëndimor rrezikon të kthehet në konflikt të hapur,” paralajmëroi MacShane, duke pyetur veten nëse serbët dhe kosovarët “dënuar si nacionalistët katolikë dhe sindikalistët protestantë në Ulster të ruajnë ‘integritetin e grindjes së tyre’ për një shekull tjetër”.

Artikulli i dytë disi i gjatë nga ish-operativi i CIA-s, John R Schindler, doli në Observer dy ditë më pas, titulluar “Kriza e Parë e Politikës së Jashtme të Presidentit Trump: Daullet e Luftës në Ballkan Bien Sërish”. Ashtu si MacShane, Schindler beson se një luftë e re është shumë afër, por fokusi i tij është në Bosnje dhe Hercegovinë, për të, “një shtet i dështuar, i zhytur në krim dhe korrupsion – pa përmendur një problem serioz me ekstremizmin islamik”. Pasi theksoi nacionalizmin në rritje mes serbëve të Bosnjës dhe kroatëve, ai përshkruan Marrëveshjen Dejton të Paqes si “një marrëveshje të çuditshme, të pavend të çuar përpara nga presidenti Bill Clinton” që “nuk ishte kurrë më shumë se një zgjidhje afatshkurtër” dhe që “po dështon”.

Schindler pastaj kalon te Kosova dhe synimi i Serbisë për ta rimarrë atë [këtu vjen prapë treni] ndërsa paralajmëron se këtë herë, shqiptarët etnikë janë gati t’i përgjigjen. “Qindra myslimanë nga Kosova i janë bashkuar Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, xhihadistët vetenarë janë kthyer tani në shtëpi dhe janë edhe shqiptarët e armatosur mirë që kruhen për luftë gjithashtu”, vlerësoi ai.

Ndërsa të tjerët shohin një seri incidentesh pa lidhje, Schindler sheh një përpjekje të përqendruar nga Kremlini për të shkatërruar të brishtën Pax Americana në Ballkan. Ai pretendon se “prania e shërbimeve ruse të inteligjencës në Serbi është e pazakontë dhe shumë e dyshimtë” dhe se “ata kanë krijuar së fundmi një bazë spiunimi në jug të vendit, me synimin e qartë të monitorimit të aktiviteteve perëndimore në rajon”.

Ai thekson se Serbia së fundmi ka kryer stërvitje të përbashkët ushtarake me ushtarët rusë dhe bjellorusë dhe paralajmëron se dhurata e Rusisë për Serbinë prej disa MiG-29 dhe disa tankë T-72 “ndryshon lojë” dhe “do të lejojë Serbinë të dominojë rajonin”.

“Shqetësimi më i madh tani, megjithatë, është kërcënimi i Ballkanit nga lojërat me spiunë klandestinë të Kremlinit që i kam quajtur Lufta Speciale: spiunim, përmbysje, propagandë dhe terrorizëm”, thotë ai.

Schindler beson se Putin, si shumë rusë, e shoh ndërhyrjen perëndimore në Bosnje dhe Kosovë “si një fyerje të botës ortodokse sllave dhe ai planifikon të marrë hak”. Artikulli përfundon me një thirrje urgjente ndaj Bashkimit Europian dhe SHBA për të “qetësuar Europën Juglindore përpara se problemet e saj të dalin nga duart dhe dhuna masive t’i kthehet rajonit të trazuar”. Fatkeqësisht, autori nuk jep të dhëna si të arrihet kjo.

Së fundmi, e përjavshmja gjermane Focus gjithashtu nuhat gjak në ajrin e Ballkanit. Në një artikull të titulluar “Ekspertët paralajmërojn: Luftë e Re së Shpejti në Ballkan”, revista citon Werner Weidenfeld, drejtorin e Qendrës së Mynihut për Kërkim Politik të Aplikuar, CEP, i cili pretendon se Serbia është përpjekur të kryejë “agresion të pastër” ndaj Kosovës. Argumenti i tij? Merret me mend – është tregi, sigurisht. S’ka nevojë të shkohet më tej.

Tre artikujt kanë diçka të përbashkët: ata janë plot stereotipa, analogji false dhe gabime faktike, që s’di nga t’ia fillosh. Përkundrazi pretendimit të MacShane, serbët dhe shqiptarët kanë jetuar prej kohësh së bashku në Kosovë për shekuj, nën sundimin osman, në Mbretërinë Jugosllave dhe periudhën e Titos dhe kanë jetuar thuajse paqësisht, megjithëse s’kanë qenë përherë rehat me njëri-tjetrin. Kërdia e shkaktuar nga Sllobodan Millosheviç në fund të viteve 1990 dogji shumë ura mes tyre por dëmi nuk është i pakthyeshëm, siç vazhdojnë të tregojnë bisedimet në Bruksel të mundësuara nga BE. Dhe sa për krahasim me Ulster, të gjitha konfliktet separatiste janë në një farë mënyre të ngjasshme, por ndryshimet mes Irlandës së Veriut dhe Kosovës janë shumë të mëdha dhe zor se duan shpjegim.

Artikulli i Schindler është akoma më problematik. Korrupsioni është padyshim një problem i madh në Bosnje, por norma e krimit në Sarajevë, Banja Luka dhe Mostar është dukshëm më e ulët sesa në shumicën e qyteteve të ngjashme europiane të perëndimit. Po, disa të rinj nga Bosnja dhe Kosova shkuan në xhihad, por nëse analizon luftëtarët e huaj të ISIS, do të shohësh se shumica janë shtetas francezë dhe belgë sesa boshnjakë dhe kosovarë, edhe nëse mat normën e popullatës.

Për më tepër, gjashtë MiG të ndryshkur [Rusia ndaloi prodhimin e tyre në fund të 1980] dhe disa tanke të vjetërkanë pak gjasa ta bëjnë Serbinë një fuqi vendore, duke pasur parasysh se është plotësisht e rrethuar nga anëtarët e NATO-s. Ndërtesa “humanitare” ruse në Nis, megjithëse disi e dyshimtë, nuk ëhstë një bazë spiune, apo të paktën akoma jo: pavarësisht presionit të përqendruar nga Moska, Serbia vazhdimisht refuzon t’i japë punonjësve rusë status imun të diplomatit. Gjithashtu Ushtria Serbe ka mbajtur dhjetë herë stërvitje të ngjashme me anëtarë të NATO-s sesa me Rusinë vitin e shkuar. Dhe dikush duhet t’i thotë ish-agjentit Schindler se ai nuk e shpiku termin Luftë Speciale – ka të paktën një shekull që qarkullon.

Një gjë tjetër është që këto parashikime të zbehta kanë të përbashkët është pretendimi se lufta e re do të jetë prej përpjekjeve të Kremlinit: gjithçka që duhet që Putin të bëjë, sipas pretendimeve të tyre, është të trazojë fantazmat e vjetra të Ballkanit, ta kombinojë me vëllazëri ortodokse sllave dhe ja ku plasi lufta.

Përse nuk përfshihen bullgarët – gjithashtu sllavë dhe ortodoksë – në planet e Putin? Gjithashtu, kufiri rus është qindra kilometra larg pjesës më lindore të ish-Jugosllavisë, ndaj si mundet Moska të çojë ndihmë ushtarake te të deleguarit serbë? Ato duhet të kalojnë nëpër disa vende anëtare të NATO-s dhe pavarësisht disa deklaratave të Donald Trump për NATO-n, Aleanca nuk do të prishet ende.

Gjëja e fundit që këto artikuj kanë të përbashkët është se nuk janë publikuar në Breitbait apo një media të lajmeve të rreme: ato janë të gjitha në publikime të respektuara. Ndoshta kjo është gjëja më e trishtë e tyre.

Ato janë publikuar nga media lokale dhe kanë shkaktuar tashmë një lloj dëmi: njerëzit këtu priren t’i shohin ato si sinjale që Perëndimi po ndryshon politikën e vet të jashtme. Përshkrimi i Bosnjes si një shtet i dështuar dhe kriminal apo i Kosovës si një pikë e nxehtë e xhihadistëve është muzikë për telashexhinjtë e rajonit dhe nxit ëndrrat e tyre për rishqyrtim të përgjakshëm të kufijve.

Është e vërtetë se situata e përgjithshme në Ballkan nuk është e shkëlqyer. Ka tensione dhe incidente dhe situata ekonomike është disi jo e mirë. Influenca në rritje e Rusisë në Ballkan [dhe e Turqisë, e Kinës gjithashtu] nuk është rezultat i agresionit të shtuar rus, por e viteve të tërheqjes së heshtur të BE dhe SHBA, që janë tani shumë të zënë me fantazmat e tyre. Perëndimi duhet të riangazhohet seriozisht, por gjëja e fundit që njerëzit në Ballkan kanë nevojë është për disa “ekspertë” të etur për gjak, që ushqejnë për qejf dhe përfitime flakët e luftës.

SHKARKO APP