Të shtunën, protesta kundër Gjukanoviçit
Një protestë masive do të mbahet të shtunën në Podgoricë, me kërkesën e largimit të presidentit malazez dhe kryeprokurorit për krimin e organizuar. Protesta është organizuar nga një grup intelektualësh, akademikësh, aktivistësh nga OJQ të ndryshme dhe gazetarësh, të cilët presin që nismës së tyre t’i bashkohen mijëra qytetarë.
Ky grup njerëzish e akuzon udhëheqësin e përjetshëm të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, për korrupsion sistematik dhe kufizim të lirisë së shtypit. Përveç dorëheqjes së tij kërkohet edhe ajo e prokurorit të lartë shtetëror, Ivica Stankoviç, dhe atij përgjegjës për krimin e organizuar, Milivoje Katniç.
Të dy këta zyrtarë, sipas BIRN-it akuzohen se kanë injoruar provat dhe nuk e kanë gjurmuar korrupsionin në rrethin e ngushtë të Gjukanoviçit. “Po presim ende rezultatin e gjykimit për manipulime në zgjedhje, pastrim parash dhe skandalet e korrupsionit”, thuhet në deklaratën për shtyp të lëshuar nga organizatorët e tubimit.