Tensionet në veriun e Kosovës, Vuçiç: Nuk jam i sigurt nëse do ta tejkalojmë këtë situatë

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se nuk kishte asnjë siguri që në veriun e Kosovës të rikthehej qetësia, pasi prej disa ditësh tashmë serbët kanë ngritur barrikada duke bllokuar rrugët. Vuçiç u takua me kreun e kishës ortodokse serbe, Patriarkun Porfirje, të cilit iu ndalua hyrja në Kosovë këtë të martë.

“Edhe nëse në një farë mënyrë arrijmë ta kalojmë këtë situatë, dhe nuk jam i sigurt që kjo do të ndodhë jo sepse nuk duam ne, por sepse është e pamundur që të flasësh me dikë që nuk do të flasë, që nuk do të dëgjojë asnjë argument”, tha Vuçiç.

Ai tha se u kishte bërë thirrje atyre që kanë ndikim te Prishtina, për të ndryshuar mendim dhe për të lejuar Patriarkun që të futej në Kosovë. ”Vijojnë bisedimet me të dërguarin e BE-së Miroslav Lajcak, të dërguarin amerikan Gabriel Escobar dhe gjithë të tjerët. Në përpjekje për të ruajtur paqen, promovuar paqen dhe arritjen e një kompromisi. E siç tha shenjtëria e tij Patriarku Porfirije, kemi mobilizuar të gjithë njerëzit dhe burimet tona”.

Sipas statistikave të fundit, rreth 50 mijë serbë jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, të cilët nuk pranojnë të njohin sovranitetin e Prishtinës dhe pavarësinë e Kosovës nga Serbia.

SHKARKO APP