Tentojnë t’i rrëmbejnë të dashurën, tre shqiptarët masakrojnë me thikë bashkëkombësin
Një i ri shqiptar ka mbetur i plagosur pasi është masakruar me thikë nga disa persona. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në rrugën “Perandori Angels” në Athinë mbrëmjen e së hënës, ndërsa vetëm sot është bërë publike nga mediat greke. ‘Diferneës.gr’ shkruan se tre presona të paidentifikuar kanë goditur me thikë shqiptarin, pasi tentuan që t’i rrëmbenin të dashurën, shkruan ‘BalkanWeb’.
NGJARJA
Gjithçka nis në orën 03:00 të mëngjesit të së hënës, pak metra larg stacionit qendror të Policisë Greke në Athinë. Tre persona të maskuar i janë afruar çiftit dhe më pas kanë nisur të qëllojnë disa herë me thikë djalin shqiptar. Pasi ky i fundit u shtri përtokë i gjakosur, tre autorët, që mendohet se dhe ata janë shqiptarë kanë marrë me forcë vajzën dhe kanë tentuar që ta fusin atë në makinë e tyre që e kishin parkuar pak metra më larg. Por të bërtiturat e vajzës kanë alarmuar policinë, e cila ka bërë të mundur të ndërhyjë në kohë. Vetëm 2 prej autorëve arritën të largoheshin nga vendi i ngjarjes, ndërsa njëri prej tyre u arrestua.
HAJDUTI I EKSARXIA
Personi i arrestuar nuk është një emër i panjohur për policinë greke, pasi shqiptari ishte kontingjent për vjedhje dhe grabitje në zonën e Eksarxia. ‘Difernews.gr’ shkruan se shqiptari, identiteti i të cilit nuk dihet, është deportuar katër herë nga Greqia, ndërsa kishte hyrë sërish ilegalisht në shtetin helen. Hera e fundit që ai ishte skeduar nga policia, është pikërisht data 28 janar. Thuhet se bashkë me një shqiptar tjetër, nën kërcënimin e një thike kishin grabitur një student grek. Ndërkohë policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e dy shqiptarëve të tjerë si dhe rrethanat e ngjarjes