Thaçi nga Haga: E ardhmja e Kosovës është në NATO, BE dhe me raporte të përjetshme speciale me SHBA-në

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë ekskluzive për “Nacionalen” ka folur për veten, familjen, takimin me Ramën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, domosdoshmërinë jetike të vendit që të qëndrojë në aleancën e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për nevojën e mbylljes njëherë e përgjithmonë të çështjeve me Serbinë në njohje të ndërsjellë.

I ndalur tek situata në Kosovë, Thaçi apeloi për tejkalim të së shkuarës me qëllim që “të mos rrezikohet apo humbet e ardhmja”. “Uniteti brendashqiptar dhe investimi për pajtim ndëretnik janë çelësi i suksesit për Kosovën. Bota po lëviz dhe po ndryshon më shpejtë se sa intuitat apo agjendat tona lokale”, tha Thaçi. Në retrospektivë, ish-presidenti kosovar deklaron se Kosova është një histori “e përbashkët suksesi” me aleatët e saj jetik perëndimor.

“Ta mendojmë Konferencën e Rambujesë, kohën e bombardimeve, çlirimin e Kosovës, bërjen e Kosovës shtet, njohjen e saj nga mbi 100 shtete, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, integrimin e saj në shumë institucione dhe organizata ndërkombëtare”,-tha Thaçi, duke kthyer edhe njëherë kokën nga skeptikët dhe kundërshtarët e bërjes së Kosovës shtet dhe të pavarur, dhe kërkuar kësaj të fundit të qëndroj në të njëjtën linjë me aleatët.

Përkundrazi “Kosova do ta ketë pamjen e zymtë, të pasigurt, dekurajuese dhe me shumë dilema. Do të jetë ekonomikisht më e varfër, fare investime të huaja dhe me demokraci të lëkundur”­- tha Thaçi, duke shtuar se: “Një vendi me kriza të përhershme askush nuk i beson”. Ish-Presidenti thotë se Kosova në sytë e tij është një Kosovë që është në NATO, në BE, dhe në raporte të përjetshme speciale me ShBA-në.

SHKARKO APP