The Guardian: Një vit pas tentativës së grushtit të shtetit, Erdogan më autoritar se kurrë
Nga Soner Çagataj/Kjo javë shënon përvjetorin e parë të tentativës së dështuar të grushtit të shtetit kundër presidentit të Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan, një përpjekje të cilën ai mjeshtërisht e ka përdorur për të shtypur të gjithë kundërshtarët e tij politikë. Më 16 prill, ai fitoi referendumin për ndryshimet kushtetuese, të cilat i jepin atij dhe kompentenca ekzekutive, duke e bërë politikanin më të pakundërshtueshëm pas themelimit të republikës laike nga Mustafa Kemal Ataturku në vitin 1923.
Në vitet 1920 dhe 1930, Ataturku themeloi Turqinë moderne, një republikë e ndërtuar sipas vizionit të tij të shoqërive perëndimore. Në Turqinë e tij, shteti largoi fenë nga punët e shtetit dhe e kufizoi atë brenda kornizave të sferës private dhe diskriminoi të gjithë qytetarët e devotshëm. Por, pasi fitoi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2003, Erdogan ka çmontuar gradualisht modelin shoqëror të ndërtuar nga Ataturku, dhe në sistemin politik dhe arsimor të Turqisë vërshuan rrymat e Islamit konservator, dhe e ka larguar Turqinë nga Evropa dhe perëndimi.
Kjo, në mënyrë paradoksale, është dhe ngjashmëria e Erdoganit me Ataturkun. Sigurisht, Erdogani nuk ndan të njëjtat vlera me Ataturkun, por thjesht ka përdorur metodat e tij. Ashtu siç Ataturk riorganizoi Turqinë moderne, në të njëjtën mënyrë dhe Erdogani po ndërton një shtet të ri, një shtet tërësisht islamik në politikën e brendshme dhe të jashtme – duke synuar që ta shndërrojë vendin e tij në një fuqi të madhe dhe një herë.
Erdogani është një Ataturk, anti- Ataturk. Siç dhe e kam shtjelluar në librin tim “Sulltani i ri”, i rritur gjatë periudhës së Turqinë sekulariste dhe duke u përballur me përjashtimet sociale që në moshë të re, për shkak të devotshmërisë së tij, Erdogani motivohet nga armiqësia ndaj medotave të ndjekura nga Ataturku. Megjithatë, ai ka çmontuar sistemin e Ataturkut duke përdorur mjetet dhe elitat kryesore të shtetit: institucionet shtetërore dhe shtresat sociale.
Erdogani ka përdorur mjetet dhe metodat e themeluesve të Turqisë moderne për të zëvendësuar madje dhe vetë Ataturkun. Produkti përfundimtar është një Turqi, e cila tani diskriminon qytetarët, të cilët nuk identifikohen pikësëpari dhe më së shumti me islamin politik dhe konservator, të cilës i përket dhe vetë Erdogani. Megjithatë, vetë Erdoani ka një problem: Ataturku erdhi në pushtet nga rradhët e ushtrisë, si gjeneral, ndërsa presidenti ka një mandat demokratik për të qeverisur. Dhe për më tepër, Turqia është e ndarë gjysëm – Erdogani fitoi referendumin e prillit me vetëm 51 % të mbështetjes popullore.
Pavarësisht kësaj, Erdogani do të ndryshojë Turqinë sipas modelit të tij, në të njëjtën mënyrë siç bëri dhe Ataturku dhe pikërisht ky është dhe thelbi i krizës së Turqisë: gjysma e popullsisë mbështet politikën dhe idetë e Erdoganit, ndërsa gjysma tjetër i kundërshton ato me forcë. Për sa kohë Turqia do të vazhdojë të jetë një vend demokratik, Erdogani nuk mund të vazhdojë të qeverisë vendin sipas ideve dhe mënyrës të tij.
Pikërisht kjo nxjerr në pah dhe anën e errët dhe joliberale të Erdoganit: i cili duke insistuar në implementimin e platformës së tij për ndryshime revolucionare kundër një shoqërie të ndarë në gjysëm, ai është duke goditur të gjithë kundërshtarët e tij politikë, dhe duke izoluar disidentët. Ndonëse ka fituar zgjedhjet në rrugë demokratike, Erdogan gradualisht është bërë më autokratik se kurrë më parë, dhe pasi ka fituar zgjedhjet, arena politike ku zhvillohen të gjitha betajet e partive politike, është jo e barabartë, dhe për këtë ai ka përdorur çdo gjë për të mos lejuar që të humbasë pushtet, por përkundrazi të rrisë pushtetin e tij .
Prandaj, ndonëse zgjedhjet në Turqi vazhdojnë të jenë të lira, me kalimin e kohës ato po bëhen gjithnjë e më të padrejta dhe të pabarabarta. Strategjia elektorale e Erdoganit ka krijuar një polarizim të skajshëm të shoqërisë në Turqi: baza e tij konservatore, që përbën rreth gjysmën e popullsisë së vendit, janë mbledhur me zell rreth tij dhe në mbrojtje të tij; ndërsa gjysma tjetër nuk e duan dhe e përbuzin.
Tentativa e dështuar e grushtit të shtetit të vitit të kaluar vetëm sa shtoi dilemat për të ardhmen e Turqisë. Ndonëse pas tentativës së grushtit të shtetit, fillimisht nisi një fushatë spastrimesh dhe arrestimesh ndaj mbështetësve të lëvizjes konservatore të Gylenit – dikur aleatë, të cilët i akuzon si organizatorë të tenttivës së grushtit të shtetit – Erdogani ka nisur një valë të gjerë spastrimesh dhe arrestimesh, duke duke arrestuar këdo që e kundërshton atë dhe idetë e tij. Ai ka burgosur rreth 40 mijë persona pas tentativës së grushtit të shtetit dhe ka spastruar rreth 150 mijë persona. Kundërshtarët e tij, tashmë e urrejnë.
Por, Erdogani as që do t’ia dijë. Më 18 maj, ai deklaroi se gjendja e jashtëzakonshme e vendosur menjëherë pas tentativës së grushtit të shtetit të 15 korrikut të vitit të kaluar do të zgjatej deri sa të garantohej “mirëqenia dhe paqja në vend”. Madje, ai ka kërcënuar se do të arrestojë dhe Kemal Këllëçdaroglu, Kryetarin e Partisë Popullore Republikane [CHP], i cili aktualisht po udhëheq një marshim nga Ankaraja në Stamboll për të protestuar kundër masave të vazhdueshme të Erdoganit. Erdogani e di se ai nuk mund të vazhdojë të qeverisë Turqinë ashtu siç i pëlqen atij, me mënyra demokratike – prandaj po përpiqet që t’i japë fund demokracisë në vend.
*Soner Çagataj është anëtar i Institutit Uashington për Politikat e Lindjes së Afërme dhe autor i librit me titull “Sulltani i ri; Erdogani dhe Kriza e Turqisë Moderne.