The Guardian: Pas agresionit serb, Kosova kërkon ndihmë nga BE-ja dhe SHBA-të
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, u ka shkruar homologëve të tij në Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vende të tjera ku ka denoncuar, siç ka thënë ai “një numër veprimesh dhe aktesh të agresionit, nga Serbia”.
Hoxhaj ka kërkuar nga BE-ja, që është lehtësuese e bisedimeve në mes të Kosovës e Serbisë, që të kërkojë nga Serbia të përkushtohet në përmirësimin e raporteve, thuhet në një shkrim të The Associated Press, i botuar në The Guardian.
“Republika e Kosovës inkurajon, nxitë, Bashkimin Europian të kërkojë nga Serbia të qëndrojë e përkushtuar në raportet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit regjional dhe jo të ndërhyjë në zhvillimet e brendshme të një vendi tjetër, ose të ndërmarrë aksione provokuese që çojnë në destabilizimin e regjionit”, ka shkruar Hoxhaj në një letër trefaqëshe.
Nuk bëhet e ditur se me çfarë parametrash janë zgjedhur shtetet që u janë dërguar letrat, pos që janë përmendur “BE-ja, SHBA-ja dhe vende të tjera”.
Hoxhaj ka shkruar edhe se incidenti me trenin ishte “ngjarja e fundit në vazhdën e akteve agresive e provokative që Serbia ka ndërmarrë kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, transmeton Klan Kosova.
Hoxhaj po ashtu, në adresimin e tij ka përmendur arrestimin dhe mbajtjen e Haradinajt në burgun e Francës si pasojë e fletarrestit serb në Interpol dhe murin në Veri.
Ministri kosovar në letrën e tij ka shtuar se “Prishtina ka reaguar me maturi politike dhe në pajtim të plotë me ligjet ndërkombëtare kur i është përgjigjur kërcënimeve të shumta të Serbisë, me dialog paqësor dhe metoda diplomatike”.