Thirrjet për dorëheqjen e kryetarëve, Krasniqi: Është kërkesë e Serbisë
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, i quajti kërkesa të Serbisë, thirrjet për dorëheqje të katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës. Ai përsëriti se largimi i tyre duhet të bëhet me peticion, që i hap rrugën edhe zgjedhjeve të reja.
“Udhëzimi administrativ është një instrument demokratik. Largimi i kryetarëve përmes këtij është një proces demokratik dhe gjithçka tjetër nuk është kërkesë e qytetarëve atje por janë kërkesa të Beogradit dhe ne nuk jemi këtu që të përkujdesemi për kërkesa të Beogradit. Udhëzimi administrativ është forma demokratike e përmbushjes së një kërkesë të qytetarëve për largimin e kryetarëve nga zyrat.
Nëse ka vullnet të qytetarëve për mbledhje të 20 për qind të nënshkrimeve pastaj do të organizohet votimi për largimin e kryetarëve të komunave. Nëse rezultati është 50 plus një votë atëherë do të organizohen zgjedhjet. Nuk dua të flas për situatë hipotetike, por kush të garanton se serbët marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme nëse kryetarët japin dorëheqje. Pra mund të përsëritet e njëjta situate”, tha Krasniqi.
Escobari tha në intervistën për Zërin e Amerikës, se rruga më e shpejtë dhe më e lehtë për zgjedhjet e reja në veri të Kosovës do të ishte nëse kryetarët e tanishëm shqiptarë japin dorëheqje. Kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, morën detyrën pas zgjedhjeve të prillit, të cilat u bojkotuan dhe kundërshtuan ashpër nga serbët lokalë, duke shkaktuar tensionim të situatës.