Tragjedia në Athinë, qeveria greke: Zjarret ishin të qëllimshme

Athina prej disa ditësh po kalon një situatë apokaliptike. Zëdhënësi i qeverisë greke, Dhimitris Tzanakopoulos, në një invervistë për mediat greke ka deklaruar se kryeministri Alexis Tsipras ka urdhëruar që të hetohen plotësisht shkaqet e zjarreve vdekjeprurëse që kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra njerëzve në periferinë e Athinës.

“Kryeministri urdhëroi që dosja e çështjes t’u dërgohet autoriteteve gjyqësore, si dhe të mbanim këtë konferencë shtypi në mënyrë që t’i paraqesim popullit grek të gjitha dëshmitë qe ka qeveria ne dispozicion”, u shpreh Dhimitris Tzanakopoulos, zëdhënësi i qeverisë.

Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Toskas, ka theksuar se ekzistojnë prova serioze për zjarrvënie të organizuar. “Sa i përket hetimeve që po bëhen nga grupi hetimor i Departamentit të Zjarrfikësve në bashkëpunim me Policinë Greke, do doja te tregoja me anën e disa imazheve të paraqitura se kemi të dhëna serioze dhe gjurme të rëndësishme për veprimtari kriminale që kanë të bëjnë me zjarrvënie”, u shpreh Toskas.

I pyetur përse nuk ka asnjë pranim përgjegjësie apo dorëheqje, ministri i Mbrojtjes së Qytetarit ka thënë se ai qysh në fillim ka dorëzuar dorëheqjen tek kryeministri por ai nuk ka pranuar.

SHKARKO APP